Shtohet dhuna e terrori në Irak

29/12/2013 17:50

Terrori në Irak është bërë pjesë e jetës së përditshme.

Dhuna ka njohur një përshkallëzim të ri muajt e fundit; thuajse çdo ditë raportohen shpërthime dhe, veç autobombave përpara tregjeve, restoranteve e xhamive, tani nuk po kursehen as këndet e lojrave për fëmijë.

Shënjestra të sulmeve janë më së shumti shiitët. Nga përllogaritjet e Kombeve të Bashkuara, vetëm gjatë vitit 2013 rezulton të jenë vrarë të paktën 8,000 persona.

Qeveria amerikane është e shqetësuar, nga fakti që al-Qaeda në Irak duket sot, më e fortë se kurrë më parë.

Për këtë arsye, Uashingtoni po i dërgon qeverisë irakiane raketa “hellfire”, të cilat do të pasohen më vonë nga avionë zbulimi pa pilot.

Kur Nuri al-Maliki vizitoi Shtetet e Bashkuara, në muajin Nëntor, kërkesa e tij për mbështetje ushtarake nuk hasi kudo në entuziazëm.

Senatorë demokratë dhe republikanë ishin kundër; ligjvënësit në fjalë e konsiderojnë Malikin, si pjesërisht përgjegjës për shtimin e dhunës në vend. Por, qeveria Obama e pa rolin e kryeministrit, me sa duket, me sy më pak kritik.

Këtë e dëshmon qartë, fakti që Amerika vendosi dërgimin e raketave “Hellfire” (ajër-tokë) në Irak dhe të paktën 75 prej tyre duhet të kenë mbërritur tashmë. Sipas të dhënave të ushtrisë irakiane, një pjesë janë përdorur në operacionet kundër kampeve të al-Qaedës në kufirin me Sirinë.

Furnizimin e Bagdadit me raketa e konfirmoi edhe zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

Sfondi i përshkallëzimit të dhunës në Irak është lufta për pushtet, mes shiitëve dhe sunitëve, që ekziston prej vitesh. Shiitët përbëjnë rreth 60 përqind të popullsisë së Irakut, ndërsa pjesa e arabëve sunitë nuk është më shumë se 20 përqind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA