Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm i qeverisë Rama, ka qenë i pranishëm në studion e emisionit E diell në Top Channel, përballë Arbana Osmanit për një intervistë joformale, të drejtpërdrejtë dhe të hapur.
Arbana Osmani: Përse kaq shpejt, gjithë kjo ndërhyrje “e ashpër” e Policisë së Shtetit, e cila nuk po lejon asnjëri të dalë jashtë shtetit pa paguar më parë taksat, apo me masat e ashpra dhe të nevojshme të ndërmarra në rrugët e Shqipërisë, për të përmirësuar disi trafikun dhe për të ulur numrin e vdekjeve.
Saimir Tahiri: E vërteta është se do të vinte një kohë e tillë, që punonjësit e shtetit, konkretisht Policia, të bënte detyrën e saj, dhe populli shqiptar të ndërgjegjësohet në respektimin e rregullave e të normave të qarkullimit rrugor. Edhe pse policia shihet si një figurë që duhet pasur frikë nga cilido prej nesh, dua të them se ky është një gabim, pasi policia duhet parë si një mik i yni, si një punonjës i shtetit që na mbron nga cdo padrejtësi, e përkundrazi, policia duhet parë si figurë e frikshme nga personat që shkelin ligjin, që kryejnë akte antiligjore. Punonjësi i policisë duhet të jetë dhe realisht është miku i një qytetari të ndershëm. Unë ndihem i lumtur që punonjësi i policisë është ende në ëndrrat e fëmijëve. Edhe vet jam baba i një fëmije dy vjec e gjysmë, kam shumë pak kohë për të kaluar me të për shkak të angazhimeve, por shoh që fëmija im dhe, si ai edhe shumë fëmijë të brezit të ri, e shohin policinë si dicka pozitive, si një ëndërr për t’u bërë polic, madje edhe u pëlqejnë makinat e policive, qoftë kur marrin dhurata, qoftë kur i shohin në rrugë. Nëse prindërit do të vazhdojnë t’u imponojnë fëmijëve ndërgjegje të pastër e drejtësi, jam i bindur që fëmijët do të vazhdojnë ta kenë në ëndrra këtë figurë. Ndërsa, në momentin e parë që një qytetar shkel ligjet, bën dicka të padrejtë dhe të pahijshme, atëherë është më se normale që edhe polici të shihet si një armik, apo një figurë jo e pëlqyeshme. Jam i bindur se, edhe për fëmijët e këtyre individëve që kanë shkelur ligjin, polici konsiderohet si një figurë negative.
Arbana Osmani: Mosha e re, ndihmon në ushtrimin e detyrës suaj si ministër i Brendshëm?
Saimir Tahiri: Besoj se ndihmon, pasi ky sistem kërkon vullnet të mirë dhe kam besim se, cilido që do të ishte në vendin tim, nëse do të kishte vullnet për të bërë mirë për këtë vend, do ta bënte. Unë ndjej se gjërat po lëvizin në këtë vend dhe po lëvizin në drejtimin e duhur. Jam i sigurt se ka ardhur koha që të bëjmë dicka për këtë vend dhe unë, pavarësisht moshës së re, besoj se nëse i futesh gjërave me këmbëngulje dhe me dëshirë për t’i ndjekur personalisht nga fillimi e deri në fund, gjithcka do të shkojë më së miri.
Arbana Osmani: Sa i përket protestave kundër importit të lëndëve kimike nga Siria, a nuk mendoni se po rritet instikti i kundërshtimeve të veprimeve të qeverisë?
Saimir Tahiri: Në radhë të parë, mendoj se ato protesta dëshmuan edhe njëherë fytyrën e re të funksionimit të shtetit dhe të funksionarëve të tij. Të rinjtë arritën të bëheshin bashkë në një nismë që rezultoi në respektim të plotë ndaj të gjitha ligjeve të këtij vendi. Policia u pa qartësisht se qëndroi mjaftueshëm larg, sa për të mos provokuar tensionime të situatës, por njëkohësisht mjaftueshëm pranë, sa për të siguruar që asgjë e keqe nuk do të ndodhte, pra për të shmangur cdo trazirë të mundshme apo përkeqësim të situatës.
Arbana Osmani: Po për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor?
Saimir Tahiri: Besoj se po marrim masat e duhura dhe të nevojshme për të bërë më të mirën në këtë aspekt. Në radhë të parë do të doja të bëja një lutje, kushdo që ka një mjet të përpiqet ta drejtojë atë në mënyrën më të qytetëruar të mundshme, pa konsumuar pijet alkoolike, duke pasur parasysh edukimin për të drejtuar një mjet, respektimin e rregullores së qarkullimit rrugor e deri te masa e fundit: merrni përsipër vet koston e masave ekstreme të Policisë së Shtetit. Dihet se kostoja e përballuar nga të gjithë ne për edukim, për shmangien dhe minimizimin e humbjeve të jetës nga aksidentet rrugore, që po të thuash të drejtën kap normat më të larta nga shumë vende të botës, është shumë e lartë. Ndaj dhe, nëse gjithsecili do të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, qoftë qytetarët edhe funksionarët e shtetit, le të përpiqemi që të ulim sa më shumë të jetë e mundur kjo kosto.
Arbana Osmani: A e ngisni dhe ju makinën dhe, nëse po, keni frikë kur e bëni?
Saimir Tahiri: Po, e ngas edhe vet makinën, por nuk kam frikë. S’kam pse të kem frikë, për sa kohë që kam besim të plotë, që e ngas me kujdesin maksimal dhe të nevojshëm, ashtu sic duhet të drejtohet një mjet. Me këtë dua të them se kushdo duhet të ketë parasysh fillimisht kujdesin për vetveten, e më pas të mendojë se me një pakujdesi sado të vogël në drejtim, mund t’i shkaktojë dëme edhe të tjerëve. Po, e pranoj se ka disa akse rrugore në Shqipëri që janë të vështira, konkretisht rruga e kthimit nga Shkodra për në Tiranë, për shembull. Mendoj se duhet bërë më shumë për sinjalistikën dhe mbi të gjitha me atë që fola më sipër, edukimin në radhë të parë për të drejtuar sipas rregullave të qarkullimit rrugor mjetin që disponon.
Arbana Osmani: Le të kalojmë në jetën private. Shumë pak dihet për ju, vetëm është folur për një martesë dhe tashmë dihet që keni një djalë të vogël, 2 vjec e gjysmë. Si e ka emrin djali dhe sa kohë kaloni me të?
Saimir Tahiri: Djali ka një emër shqiptar, për të cilin kam këmbëngulur fort, quhet Drini. Të them të drejtën qëndroj shumë pak me të dhe që tani e kam ndjerë mungesën, madje e pranoj që i detyrohem më shumë tim biri. Tashmë, si prind, arrij të kuptoj edhe ndjenjën e nënës time, kur unë i gjendesha larg për arsye të ndryshme.
Arbana Osmani: Dëshira juaj për vitin 2014?
Saimir Tahiri: U uroj shqiptarëve të jenë të lumtur gjatë 2014, të investojnë në drejtësinë publike dhe të kërkojnë zgjidhje për cdo padrejtësi të hasur. Në detyrën time, kam njohur shumë persona që e kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë mungesën e drejtësisë të hasur deri më sot, në këto 23 vite demokraci. Ndaj dhe urimi im me zemër është: Shpresa, që gjithsecili të investojë për pak më shumë drejtësi, dhe sigurisht të jenë të lumtur, të gëzuar dhe të shëndetshëm në jetët e tyre.
Arbana Osmani: Falemnderit për intervistën dhe ju uroj gjithashtu të vazhdoni me këtë ritëm që keni nisur, e të mos ndaleni aspak, të mos dorëzoheni.
Top Channel