Trazirat sociale nuk ngrenë të rrëzuarit

27/12/2013 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – Kriza ekonomike gjithmonë ka pas dere tensionin dhe trazirat sociale.

Kjo është një përvojë e riprodhuar dhe e riprovuar në realitetin global dhe në historinë politike e sociale të shumë shteteve. Në periudhën pas vitit 2000, kjo është riprovuar shpesh në disa shtete të mëdha e të fuqishme për nga pasja dhe trashëgimia ekonomike. Shumëkush e mban mend ç’ngjau dikur në Argjentinë, në Brazil e më pas shije të tilla ka pasur edhe në Francë e deri në vitin 2007, kur tërmeti financiar në SHBA shembi disa banka. Madje duhet shënuar edhe i ashtuquajturi faliment i Detroitit. Ishte kjo vala më e madhe e krizës financiare globale, që mësyu egërsisht edhe Europën. Mbërriti së pari në Greqi, ku shteti ra në humnerën e falimentit financiar dhe shoqëria u trazua nga depresioni dhe vijon të mbetet ende në këtë përpëlitje. Më pas në Itali dhe në disa prej vendeve të kontinentit, të cilat vijojnë të përballen e ndeshen me sfidat e kësaj krize, e cila nuk ka një trajektore gjeografike specifike, por vijon të shfaqet me ngritje dhe ulje, si një masë akulli që lëviz duke shkaktuar shkulme herë në një shtet e herë në një tjetër.

Kjo gjendje po mban mendjengritur të gjitha strukturat qeverisëse globale, sistemin financiar dhe bankar global dhe në një farë mënyre, po u imponon jo vetëm psikologjinë e alarmit, por edhe të pasigurisë, shumicës së shteteve të vogla, kudo qofshin ato. Në këto kushte, qeverisësit globalë sërish po shfaqin një kompleks të moszotërimit të situatës dhe kontrollit në mënyrë të drejtshpërndarë. Mes tyre, loja politike e interesave strategjike, manovrat dhe koniunkturat deri edhe konspiracionet, janë mekanizmi që imponohet dhe përfshihet në shkulmin e krizës dhe në gjithë rrjedhën përfshirëse të saj.

Në këtë tablo alarmi dhe në këtë gjendje ankthi, me kohë është përfshirë edhe Shqipëria. Një shtet që shquhet për kapriçio të marrëzishme vetëtrazimesh, sesa për përgjegjësi dhe ndërgjegjshmëri përfituese prej situatës që e rrethon. Në këtë papërgjegjshmëri fatkeqësisht jo vetëm mbetet e përfshirë, por paradoksalisht mbivendoset edhe protagonizmi për të shtuar faktorë e shkaqe të reja. Kësi shkaqesh, në mos konsumojnë energji të qeverisësve, së paku bëjnë edhe më të paqëndrueshëm ekuilibrat e brendshëm.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i mbetur deputet i Partisë Demokratike në Parlament, është i pari parathënës i krizës financiare, në të cilën do të përpëlitet deri në vetërrëzim qeveria tremujore e Kryeministrit aktual Edi Rama. Në këtë parathënie, politikani me jetëgjatësi 24-vjeçare, zoti Berisha, që ka qeverisur edhe si shtetar edhe si kryeopozitar, mbetet i rrallë, i veçantë, pasi është vetëshfaqur si propagandues me dy anë medaljeje në kohën e vet: Sa ishte kryeministër, tre muaj më parë, trumbetoi rritjen ekonomike dhe udhëtimin e suksesshëm të vendit duke shtuar borxhe pa fre; ndërsa pas katër muajsh, si deputet opozitar, ish-kryeministri i është vërsulur kundërshtarit dhe e profetizon rënien e tij humnerike financiare, si të flasë për një armik deri në patologji, pa harruar se edhe vetë është politikan dhe banor i këtij vendi. Në këtë pozicionim të tij dhe vrullin e disa politikanëve të tjerë pranë shumicës, për t’i dhënë qeverisë së zotit Rama atributet e një qeverie, që në plan të parë realizimesh ka arrestimet dhe prangosjen e zyrtarëve dhe ish-shtetarëve, dukshëm fshihet një kurth dhe një diabolizëm i provuar politik.

Sali Berisha është politikani me shumë përgjegjësi dhe mëkate qeverisjeje në të sotmen e vendit. Ai është personazhi i pazhbëshëm historik i tranzicionit postkomunist shqiptar. Në këtë investim dhe përgjegjësi historike të tij, nuk mund të keqpërdoret politikisht nevoja për një investim të fuqishëm dhe pa droje për autoritetin e ligjit dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Sali Berisha është pjesë themelore e një ekuilibri dhe qëndrueshmërie politike në vend, sikundër është edhe energjia e një mekanizmi të së keqes, kur duhen apo imponohen trazira dhe konflikte politike. Në këto të fundit, koha dhe përvoja politike e tij kanë dëshmuar se zoti Berisha nuk lë asnjë “motor të shuar”, por përkundrazi shton edhe më shumë se aq.

Ka disa ditë që në skenën e debatit dhe polemikës politike në vend po vihet re një tentativë për rikthimin e konfliktit politik, jo vetëm në Parlament, por në marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës. Rasti i prangosjes së kryetarit të Bashkisë së Kamzës dhe reagimi i selisë së PD-së përmes deputetit Ristani, mbart për nëntekst të fuqishëm një tendencë të ardhme së afërmi të populizmit opozitar, pra të ardhjes së tubimeve dhe protestave në të cilat logjika dhe psikologjia e lidershipit të vjetër të PD-së ka ditur të korrë sukses dhe imponime politike. Një mjet i vjetër për kohë të re.

Këtë axhendë duket se ende nuk e ka bërë pjesë të strategjisë së afërt kryetari pasues i zotit Berisha në PD, zoti Basha. Por logjika e lexueshme e zotit Berisha, jo vetëm e shprehur në Parlament, por edhe në komunikimet e tij të preferuara në rrjetet sociale, shfaq hapur dëshirën dhe tundimin për një thellim dhe rënie të menjëhershme të qeverisë në kthetrat e dorëzimit financiar. Pas kësaj, politikanët e vjetër të opozitës shpresojnë të rikthejnë protagonizmin e tyre politik. Mirëpo, meqenëse zoti Berisha e ka për zemër skenarin grek të Papandreut (të cilin në fakt gjatë muajit të fundit duket se e ka shmangur si referencë), duhet të ketë mirë parasysh se kriza greke u shndërrua njëkohësisht në një moment të reagimit qytetar për të spastruar kastën e mëkatarëve rrënues të Greqisë. Nuk duken gjëkundi prej vitit 2009 e sot, ish-kolegët e zotit Berisha në Athinë, as Simitis, as Karamanlis, as Papandreu dhe gjithë skota e politikanëve që farkëtuan pa ngurrim e dhembshuri falimentin e Greqisë. Kriza ekonomike e parathënë për Shqipërinë nga zoti Berisha opozitar, nuk mund ta lërë pa gjykim zotin Berisha kryeministër. Mes tyre nuk ka një kohë të gjatë ndarjeje, madje janë aq afër, sa i pari është ende nën instinktet e të dytit. Dëshira për rrëzim të menjëhershëm të kundërshtarit, kur ka kosto për vendin dhe sidomos financat dhe ekonominë e shtetit, nuk është dhe s’mund të mbetet thjesht motiv politik natyral, por diçka e keqe dhe pse jo, diabolike. Nëse duhen parë shumë masa dhe ligji i buxhetit për vitin 2014, të cilin e paraqiti qeveria në Parlament, diskutimi dhe mirëkuptueshmëria mes palëve nuk mund të ketë krahasim dhe të njëjtën përmbajtje me atë që mund të kërkohej në vitin 2005. Jemi në kohë tjetër dhe përballë rreziqesh që s’kanë lidhje vetëm me ne dhe klasën tonë politike.

Skenari i trazirave sociale në vend, nëse ofrohet apo imponohet nga rrethana dhe faktorë jashtë ndërgjegjes politike të palëve, kësaj here nuk ka për t’i dhënë asnjërës palë mundësinë për protagonizëm e aq më tepër statusin e akuzatorit të pafajshëm. Kushdo prej dy palëve politike në këtë alternativë të mundshme do të përballet me pozitën e të akuzuarit pa justifikim. Opozita këtë afërpamësi nuk mund ta fitojë përmes protagonizmit “pa racion” të zotit Berisha në Parlament, por vetëm duke u bërë imponuese dhe konkurruese me propozime dhe projekte alternative. Në skenën politike dhe atë të debatit publik, me krizën ekonomike dhe financiare, fatkeqësisht po bashkëjeton frikshëm mjerimi i ideve dhe i konkurrentëve.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA