Tajlanda nuk gjen qetësi

27/12/2013 00:00

Përleshjet e reja mes policisë dhe protestuesve anti-qeveritarë në Tajlandë shkaktuan vdekjen e të paktën një polici dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

Dhuna bëri që komisioni zgjedhor të kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve të fillimshkurtit, por qeveria pretendon se një lëvizje e tillë do të pasohej nga akte të mëtejshme dhune.

Të drejtuar nga grupe studentore, protestuesit sulmuan një stadium në Bangkok, ku zyrtarët po regjistronin kandidatët për zgjedhje. Policia reagoi me gaz lotësjellës dhe plumba gome.

Përmes një deklarate, Komisioni Tajlandez i Zgjedhjeve paralajmëroi se dhuna mund të përshkallëzohej akoma më shumë nëse qeveria nuk e ndryshon datën e zgjedhjeve, të caktuara të mbahen në 2 shkurt.

Kryeministrja Yingluck Shinawatra më parë i kishte hedhur poshtë thirrjet për të shtyrë votimet. Shefja e ekzekutivit njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas protestave që bënin thirrje për dorëheqjen e saj dhe dorëzimin e pushtetit një këshilli të emëruar.

Sipas ekspertëve, nuk ka aq shumë alternativa për ta zbutur ngërçin politik të vendit. Ata profetizojnë një rëndim të mëtejshëm të situatës dhe thonë se është vështirë të imagjinohet si do të jenë rrethanat para votimeve.

Afro 30 parti janë regjistruar për zgjedhje, por partia e madhe opozitare, ajo Demokratike, ka vendosur ta bojkotojë procesin me pretendimin se përpara zhvillimit të tij nevojiten reforma politike dhe elektorale.

Liderët e saj argumentojnë se njerëzit nuk kanë më besim te partitë politike dhe mendojnë se zgjedhjet nuk do të jenë as të drejta e as të besueshme dhe se rezultatet nuk do të pranohen nga asnjëra palë, pavarësisht kush fiton.

Top Channel