Liban, Hezbollah pas atentatit?

27/12/2013 00:00

Megjithëse asnjë grup nuk ka marrë përsipër sulmin me autobombë në qendër të Bejrutit, Saad Hariri akuzoi grupin Hezbollah.

Ish-ministri libanez dhe një prej figurave të njohura të opozitës, Mohamad Catah mbeti i vrarë pas shpërthimit, bashkë me katër persona, ndërkohë që 50 të tjerë u plagosën.

Saad Hariri akuzoi “ata që i fshihen drejtësisë ndërkombëtare dhe që kanë shpërndarë zjarrin rajonal në Liban”.

Catah, një mysliman sunit dhe këshilltar i ish-kryeministrit Saad Hariri, ishte një kritik i ashpër i presidentit Bashar Al Assad dhe lëvizjes shiite libaneze “Hezbollah” që e mbështet atë.

Cahat do të merrte pjesë në takimin e bllokut “14 Marsi”, të drejtuar nga Saad Hariri, kur makina e tij u godit në orën 09.00 të mëngjesit, jo shumë larg ndërtesës së Parlamentit.

Shpërthimi dëmtoi disa ndërtesa dhe makina. Dëshmitarët treguan se kishin kaluar momente shoku dhe tmerri nga shpërthimi.

Korrespondentja e BBC-së në Bejrut tha se Catah nuk ishte një figurë që ngjallte debate në Liban. Ai njihej si i moderuar dhe – sipas saj – ka shumë spekullime se bomba ishte më shumë një mesazh për bllokun “14 Marsi” sesa kundër vetë Catah.

Më herët, përmes një mesazhi në Twitter, Catah kishte shkruar se: “Hezbollah po ushtron presion të fortë për të marrë më shumë pushtet për çështjet e sigurisë dhe ato të jashtme, po si ato që Siria ushtroi në Liban për 15 vjet”.

Siria tërhoqi trupat nga Libani pas vrasjes se ish-kryeministrit Rafik Hariri, që shumë dyshojnë se ka patur një rol në ekzekutimin e tij me autobombë në shkurt të 2005-ës.

Top Channel