Tajlandë, policia gaz ndaj protestuesve

26/12/2013 00:00

Policia tajlandeze në Bangkok ka qëlluar gaz lotësjellës ndaj protestuesve që përpiqeshin të pengonin partitë politike të regjistroheshin për zgjedhjet e shkurtit 2014.

Rreth 500 protestues tentuan të hynin në një stadium ku po punonin komisionerët zgjedhorë për të regjistruar kandidatët. Ata kërkojnë që para zgjedhjeve të kryhen reforma politike.

Por policia, pasi u godit edhe me gurë, përdori gazin lotësjellës për të shpërndarë turmën. Nga trazirat nuk raportohet të ketë pasur persona të lënduar.

Më herët gjatë muajit, kryeministrja tajlandeze Yingluck Shinawatra shpalli për në shkurt të vitit të ardhshëm zgjedhjet e parakohshme, por refuzoi të jepte dorëheqjen.

“Do të vazhdoj të qëndroj në detyrë, të bëj detyrën time si kryeministre në bazë të Kushtetutës. U tërhoqa aq sa mundesha, tani të shkojmë në zgjedhje”, tha ajo. Yiangluck, motra e ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra, fitoi zgjedhjet në vitit 2011.

Thaksin u rrëzua nga pushteti dhe ndaj tij u ngritën akuza të forta për korrupsion. Aktualisht ai jeton në Dubai në ekzil. Protestuesit thonë se është pikërisht ai që drejton në të vërtetë Tajlandën dhe jo Yingluck.

Protestat nisën pas një projekt-ligji për aministi, ku përfitonte pikërisht edhe ish-kryeministri Thaksin. Ndërsa fundjavën e kaluar, subjekti kryesor i opozitës, Partia Demokratike njoftoi se do të bojkotojë zgjedhjet e 2 shkurtit.

Kryetari i partisë, Abhisit Vejajiva tha në një konferencë për shtyp se nuk do të ketë kandidatë në terren, pasi sipas tij, “politika tajlandeze ndodhet në një fazë falimentimi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB