Moti, SHBA dhe Kanadaja ende në terr

26/12/2013 00:00

Mbi 500 mijë banorë në veri-lindje të Shteteve të Bashkuara dhe në jug-lindje të Kanadasë vazhdojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike pas stuhisë së acartë të fundjavës së kaluar.

Ekipet e ndihmës së shpejtë po punojnë por paralajmërojnë se disa shtëpi mund të vazhdojnë të mbeten në terr deri të shtunën.

Në Toronto, rreth 72 mijë banorë ishin pa energji elektrike ditën e Krishtlindjeve, saktësuan zyrtarët kanadezë të provincës së Ontarios, sipas të cilëve 27 persona kanë humbur jetën në rajon për shkak të rrethanave të krijuar nga stuhia.

Shumica e vdekjeve ka ardhur nga monoksidi i karbonit që ka helmuar njerëzit që kanë përdorur gjenerator me gaz, qymyr druri dhe lëndë të tjera për të ngrohur shtëpitë si pasojë e temperaturave të akullta.

“Unë e kuptoj që njerëzit duan të rrinë ngrohtë, por ju nuk mund ta bëni këtë. Kjo është fatale”, deklaroi më herët gjatë javës kryetari i Bashkisë së Torontos, Rob Ford.

Ndërkohë, vdekje të tjera janë shkaktuar nga aksidentet rrugore. Udhëtimet mes Torontos dhe Montrealit, Otauas dhe Nju Jorkut janë pezulluar.

Në rajonet e tjera të Kanadasë, si në Nju Bransuik dhe në Kebek, dhjetëra mijëra persona janë ende pa elektricitet, si dhe qindra të tjerë në Nova Skotia.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, shtetet nga Meini në Miçigan janë prekur gjithashtu nga moti i acartë, që ka shkaktuar ndërprerje të energjisë që prej javës së kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB