LSI fut paketën fiskale në ngërç

26/12/2013 00:00

Rritja e taksave mbi industrinë e fasonit e ka futur paketën fiskale në
ngërç. Lëvizja Socialite për Integrim ka propozuar, në Komisionin e
Ekonomisë që tatim fitimi për këto biznese të mbetet në dhjetë për qind,
por kjo nuk është pranuar nga Qeveria.

“Në qëndrimin tonë, për momentin ne jemi kundër përjashtimeve. Do të hartojmë në një kohë jo të gjatë, një sërë incentivash që lidhen me bizneset”, tha Ervin Meta, zëvendësministër i Financave.

Qeveria nuk ka pranuar as propozimin e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, deputetit socialist Erjon Braçe sepse kjo do kishte efekte të mëdha financiare për buxhetin.

“Për manifakturën të jenë zero, me kusht të jetë investimi brenda territorit shqiptar. Nëse ju e keni të vështirë këtë gjë ta diskutoni tani, qoftë brenda jush, qoftë me FMN-në do të preferoja që më mirë të diskutoni për një moment të dytë këtë propozim”, tha Braçe.

“Për momentin nuk mund ta mbështesim një propozim të tillë, edhe për fakrtin se ka një efekt të konsiderueshëm në buxhet”, tha Mete.

Me skemën e re të propozuar nga Qeveria, tatim fitimi mbi kompanitë e fasonit rritet nga 10 në 15 për qind, duke rrezikuar dëmtimin financiar të kësaj industrie si një nga punëdhënëset më të mëdha në vend. Pas debateve, Dashamir Shehi ka propozuar një skemë tjetër, që tatim fitimi për to të shkojë në 7.5 për qind njëlloj sa biznesi i vogël. Por zëvendësministri i Financave ka kërkuar kohë për ta shqyrtuar masën, për të cilën do të ketë një vendim përfundimtar këtë të premte.

Nuk ndryshon taksa për shtëpitë para 93

Taksa fikse për apartamentet e ndërtuara para vitit 1993 nuk do të ndryshojë, por do të mbetet 15 lekë për metër katrorë aq sa tani.

Deputetët në Komisionin e Ekonomisë kanë anuluar rritjen e taksës, sipas skemës së propozuar nga Qeveria. Sipas vendimit të Komisionit taksa rritet vetëm ndërtesat e biznesit, duke u dyfishuar nga 200 në 400 lekë për metër katrorë.

Po kështu veç taksës së apartamenteve, e pandryshuar do të qëndrojë edhe masa fikse e kontributeve për të vetëpunësuarit në fshat, një cështje për të cilën ka patur debat të fortë politik mes maxhorancës.

Ndërkaq një tjetër ndryshim i minutës së fundit në paketën fiskale, është edhe ai që ruan përjashtimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për industrinë hidrokarbure, në fazën e kërkimit. Një masë, e cila i ul të ardhurat në buxhet me 650 milionë lekë, që qeveria synon ta kompesojë me rritjen e fitimit të BSH.  Ndërsa për pijet energjike nga një janari do të ketë paguhet akcizë në masën 5 për qind.

Top Channel