Kryeministri japonez rrit tensionet në Azi

26/12/2013 00:00

Kryeministri japonez ka acaruar Kinën dhe Korenë e Jugut duke vizituar një faltore që nderon ushtarët japonezë që kanë humbur jetën në luftë, përfshirë disa kriminelë lufte të dënuar.

Shinzo Abe deklaroi se vizita e tij në Jasukuni ishte një gjest anti-luftë. Por Kina e cilësoi vizitën si “tërësisht të papranueshme për popullin kinez”, ndërsa Seuli shprehur “keqardhje dhe inat”.

Pekini dhe Seuli e shohin Jasukunin si një simbol të agresionit japonez gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Japonia pushtoi një pjesë të gjerë të Kinës dhe gadishullin Korean.

Ambasada amerikane në Tokio nga ana e saj deklaroi se ndihej e zhgënjyer dhe druhet se veprimi i zotit Abe do të nxisë tensionet mes Japonisë dhe fqinjëve.

Kina, Japonia dhe Korea e Jugut janë të përfshira në një seri çështjesh të tipit territorial në Detin Lindor të Kinës. Kjo ishte vizita e parë në Jasukuni nga një kryeministër japonez, që nga vizita e Junichiro Koizumi në vitin 2006.

Zoti Abe, që mori drejtimin e qeverisë një vit më parë, hyri në faltore mëngjesin e së enjtes, i veshur me një kostum të zi dhe një kravatë gri. Mbërritja e tij u transmetua live në televizion.

“Zgjodha këtë ditë për t’u treguar të ndjerëve se çfarë kemi bërë në një vit, që kur administrata nisi nga puna dhe për të shprehur angazhimin tim se njerëzit nuk do të vuajnë më kurrë nga lufta”, tha Abe.

“Nuk është qëllimi im të lëndoj ndjenjat e popullit kinez dhe atij korean”, vijoi ai. Por Ministria e Jashtme kineze deklaroi përmes zëdhënësit të saj se: “Ne e kundërshtojmë dhe e dënojmë ashpër veprimin e kryeministrit japonez”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB