F1, Ferrari kërkon rikthimin e testeve

26/12/2013 00:00

Luca Cordero Di Montezemolo mendon se ka ardhur momenti që të lejohen sërish testet gjatë sezonit të Formulës 1 e në këtë mënyrë të përfundojë varësia e skuderive nga teknologjia e ndërlikuar e simulatorëve.

Presidenti i Ferrarit mendon se shpenzimet për simulatorin janë të larta dhe rikthimi i testimeve në pistë do të ishte më i dobishëm dhe më i lirë.

“Kjo puna e simulatorëve është për të qeshur. Jemi detyruar të investojmë shumë tek këto makina artificiale në vend që të provojmë makinën në Fiorano apo Mugello. Nëse dikush nuk ka para’ për të bërë teste, le të shkojë të garojë në GP2 ose të merret me basketboll. Dua që të rikthehen testet në pistë në mënyrë që pilotët e rinj të marrin më shumë eksperiencë pilotimi”, tha Montezemolo gjatë një dreke me gazetarët.

Presidenti i “Kokëkuqes” mori shembull futbollin për të shtjelluar idenë e tij: “Nëse një skuadër kërkon të fitojë Ligën e Kampioneve, duhet të blejë futbollistët më të mirë dhe këta futbollistë duhet të stërviten në fushë, nuk mund të bëjnë stërvitje me kompjuter.”

Top Channel