ELVIS KOTHERJA – Siguria në udhëtim është thelbësore për shqiptarët, por dhe për zhvillimin e industrisë së turizmit, e kjo për faktin e thjeshtë sepse jeta e një njeriu ka vlerë të pazëvendësueshme.
Për ta bërë më të qartë dhe më të kuptueshme nuk do të shtjelloj realitetin në Shqipëri, sepse është e pamundur të diskutosh problematikat e shumta, por do të jap 10 shembuj “artikuj mediatikë” nga jeta e përditshme në vende të ndryshme të botës, për t’i dhënë rëndësinë që meriton sigurisë në udhëtim krahas çështjeve të tjera në sfidën që e pret Shqipërinë për të zhvilluar Industrinë e Turizmit.
Shkurt 2010, një gazetë e përditshme gjermane në kryetitull shkruante: “Tërmet në Kili, qindra të vdekur, mijëra nën rrënoja dhe disa mijëra të tjerë të lënduar”, një ditë më pas po e njëjta gazetë shkruante: “Tërmeti në Kili, një shtetas gjerman ka humbur jetën”. Kaq mjafton për ta kuptuar se sa e rëndësishme është jeta e një njeriu dhe sa vëmendje i kushtohet asaj edhe në raste të fatkeqësive natyrore nga shtete të përgjegjshme.
Japoni, tetor 2011, një e përditshme shkruante: “Një turist japonez humbi jetën tragjikisht nga një arrest kardiak në një hotel në Europë”. Ekspertiza e vendit mikpritës, pas ekzaminimeve, shkruante në raport, se i ndjeri nuk ka marrë ndihmën e parë në momentin e duhur, pasi banjo e hotelit nuk dispononte sinjalin SOS!!! Turisti do të kishte shpëtuar nëse ndihma e shpejtë do t’i jepej në kohë. Ky fakt na tregon se në Shqipëri duhet të marrim masat që çdo hotel të ketë të instaluar të gjitha instrumentet e sigurisë, duke përfshirë Sinjalin SOS, fikset e zjarrit në dhoma, në korridore, shkallët e emergjencës, shenjat orientuese në rast zjarri, aksesi i zjarrfikëseve ose në pamundësi të saj, hidrator etj. Kjo është detyrë e politikëbërësve, jo për t’i vendosur, por t’i këshillojnë e stimulojnë ndërtuesit apo qoftë dhe hotelierët me eksperiencë e më pas për t’i detyruar e rregulluar me ligj.
Gjermani, tetor 2010, një e përditshme gjermane shkruante: “Dy turistë gjermanë kanë humbur jetën në një resort ekzotik” për shkak se ballkoni i dhomës së tyre u shemb në momentin kur ata ishin në ballkon. Kompania gjermane e udhëtimeve, e cila kishte siguruar udhëtimin e dy turistëve, përveç detyrimeve financiare, në atë vit pati një rënie të ndjeshme të biznesit të saj, si pasojë kishte dëm të rëndë ekonomik. Sot, po e njëjta kompani që vazhdon të operojë në treg, ka përforcuar masat në lidhje me hotelet që përzgjedh dhe çdo kontratë shoqërohet me një paketë rregullash për sigurinë e cila është më voluminoze se kontrata operacionale dhe financiare.
Francë 2009, në media publikohet kryetitull “Një 55-vjeçar humb jetën në një resort në Egjipt”, ekspertiza kishte vlerësuar se i ndjeri kishte rrëshqitur pranë pishinës së resortit dhe nuk ishte në dijeni se dyshemeja pranë pishinës ishte e lagësht, nëse do të kishte një tabelë sinjalizuese plastike e tipit “Kujdes! Zonë e rrëshqitshme!” klienti nuk do të kishte humbur jetën. Ekspertiza bëri me faj operatorin turistik, pasi kishte zgjedhur një hotel i cili nuk merrte masat për të parandaluar aksidente të tilla tragjike.
Suedi 2011, media e nis ditën me një lajm të rëndë: “Një çift suedez humbet jetën, të helmuar në një resort ekzotik”. Ekspertiza, pas ekzaminimeve, nxori si konkluzion se: çifti nuk ishte helmuar për shkak të konsumit të ushqimit, por për shkak të gazrave të tubacioneve të ujit. Resorti 10-vjeçar i sapohapur për sezonin e ri turistik nuk kishte bërë qarkullimin e ujit në dhoma, përpara se klientët të akomodoheshin në hotel. Në vende të ndryshme ky ajër që mbetet në tubacione i paqarkulluar kthehet në një gaz të rrezikshëm për shëndetin.
Britani 2010, një e përditshme shkruante në faqen e parë: “Tre turistë anglezë helmohen në pushime, humbin jetën tragjikisht”, arsyeja ishte se të tre kishin konsumuar ushqim të intoksikuar në një nga restorantet e resortit ku kishin shkuar për të pushuar. Ekspertiza e saktë nxori në pah se resorti nuk kishte zbatuar rregulloren standarde të cilësisë HAÇP. Arsyeja ishte se mishi i konsumuar nuk kishte qëndruar në frigoriferët ngrirës (-20 gradë C), por në atë freskues (+3 gradë C) dhe nuk ishin respektuar rregullat teknologjike të ruajtjes dhe konservimit të produkteve ushqimore. HAÇP sot është një standard i panegociueshëm dhe i domosdoshëm. Në Shqipëri na duhen profesionistë të gatimit që për më shumë janë teknologë që respektojnë rregullat teknologjike gjatë përpunimit deri në servirjen finale.
2009, në Austri hapet një çështje gjyqësore shumë e pazakontë, një kliente hoteli kishte marrë një infeksion që si fillim u konstatua si “herpes”, por më pas u verifikua se ishte një sëmundje lëkure akoma më e rëndë, pas shumë kohësh pune shkencore, doktorët më në fund arritën në përfundimin se personi e kishte marrë këtë virus në një hotel në Europë ku ajo kishte kaluar pushimet. Pas këtij rasti shumë tragjik, sot në të gjithë Europën, por dhe më gjerë fjala “pastrim” është zëvendësuar me fjalën “Higjienizim”, e kjo për vetë faktin se pastrimi, nuk mjafton për të zhdukur mikrobet, ndërsa higjienizimi është një proces antibakterial me solucione të cilat pastrojnë në mos në masën 100%, por më shumë se 90% sipërfaqet.
Zvicër, mars 2012, “Aksident tragjik i një autobusi belg, në Jug të Zvicrës. Ky aksident, tronditi opinionin publik, komisionet e sigurisë në të gjitha vendet e BE-së, por dhe vetë BE-në. Ende dhe sot arsyet janë të paqarta, për shkaqet reale që mendohet të jenë, shpërqendrim i shoferit për të vendosur në punë një disk DVD, ose shoferi mund të ketë pësuar një arrest kardiak për arsye se një arterie kryesore ishte e bllokuar në masën 60% dhe shoferi kurohej për këtë fakt. Ky aksident ka shkaktuar një debat të madh dhe po i kushtohet një vëmendje maksimale përforcimit të masave të marrëveshjes europiane për lëvizjen e autobusëve “Interbus”. Tashmë kërkohet me forcë që çdo një vit shoferët të trajnohen dhe azhurnohen nga institucionet publike mbi ndryshimet dhe rregulloret, por gjithashtu dhe kontrollet shëndetësore që çdo drejtues automjeti publik duhet të bëjë për çdo 6 muaj.
Itali, korrik 2013, një nga aksidentet më tragjike ndodhi në jug të Italisë, viktimat e shkaktuara nga aksidenti u cilësuan si më të rëndët në historinë e aksidenteve në Itali. Ekspertiza si përfundim, përveç të tjerave, penalizoi kompaninë “Autostradë”, e cila, ka në pronësi autostradën, sepse paretet anësore të rrugës ishin të vjetruara dhe nëse do të kishin qenë në gjendje më të mirë teknike, përmasat e aksidentit do të kishin qenë shumë të vogla dhe gati të pallogaritshme.
Gjermani, korrik 2008, kriza globale financiare kishte shkaktuar një plan masash kursimi jo vetëm në institucionet publike, por dhe në ato private. Një menaxher kompanie të njohur në Gjermani, pas disa muaj negociatash biznesi me një partner në Australi, vendos të udhëtojë për të përmbyllur kontratën me kompaninë në Australi. Pasi zbret në aeroport, merr makinën dhe niset për në adresën e biznesit, gjatë rrugës aksidentohet dhe fatkeqësisht humb jetën. Ekspertiza pas shumë kohësh hetimi doli në konkluzione të qarta ku shprehej: Mosrespektimi i protokollit, i ndjeri kishte udhëtuar në klasë ekonomike (e palejuar për hierarkinë e tij), ishte në gjendje të sëmurë “Jet Lag”, kishte udhëtuar me makinë me qira, ndërkohë që i duhej të merrte makinë dhe shofer me qira dhe për më tepër nuk kishte marrë një makinë që klasifikohej e sigurt, etj. Raporti mbyllej me fajësinë e kompanisë si shkaktare të aksidentit sepse nuk ishin respektuar rregullat e sigurisë në udhëtim. Kompania nuk ishte konsultuar me një menaxher udhëtimesh biznesi që mund ta kishte këshilluar drejt këtë udhëtim. Kompania pagoi një gjobë të majme, humbi një koleg dhe në fund një kontratë të domosdoshme në kohë krize.
Nga shembujt e mësipërm veçoj për të diskutuar vetëm dy çështje shkurtimisht, të cilat kanë rëndësi absolute.
E para, ekspertimi i aksidentit të Italisë në korrik 2013, është një “ALARM” jo vetëm për ekspertët e inxhinierisë së transportit, policisë dhe institucioneve të drejtësisë, por dhe për kompanitë e sigurimit që në një mori rastesh kanë paguar dëme të cilat nuk kanë qenë për shkakun e klientëve të tyre por për shkak të “Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve” e cila nuk ka vendosur sinjalistikën e duhur që bazohet në kodin rrugor të Republikës së Shqipërisë.
E dyta dhe e fundit për këtë artikull, por jo për realitetin mbetet “Përmirësimi i urgjencës civile në terren dhe mjetet logjistike e të nevojshme”. Imagjinoni ç’mund të ndodhë?! Në raste aksidenti kur mund të duhen 10 ambulanca, zjarrfikëse, vinça etj., për të shpëtuar jetë njerëzish, a jemi ne të gatshëm?! Nuk besoj se standardet aktuale, me shpejtësinë e breshkës e profesionalizimin gjysmak, të shpëtojnë jetë që mund të këputen nga momenti në moment.
Me po të njëjtin probabilitet që rrezikohen shqiptarët, riskohen dhe të huajt apo turistët që vizitojnë Shqipërinë. Së pari, le të mendojmë për veten tonë si shqiptarë e t’i kthejmë vlerën jetës të çdo qytetari, pavarësisht kostos financiare që nuk ka vlerë para humbjes së jetës së një shqiptari. Na duhet të kalkulojmë koston e këtij shërbimi për frymë, e çdo qytetar ta paguajë nëpërmjet taksave. Rëndësia e sigurisë për udhëtim i shërben shqiptarëve, miqve, vizitorëve, turistëve dhe në fund na nevojitet dhe politikisht për të përmbushur standardet dhe detyrimet që kërkon rruga për ku tashmë jemi nisur, anëtarësimi në BE.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel