“Obamacare”, ndihmë edhe për të paregjistruarit

25/12/2013 04:45

Qeveria amerikane ka ofruar ndihmë për cilindo, që ka humbur afatin përfundimtar të 24 Dhjetorit për t’u regjistruar për sigurimet e reja shëndetësore, të njohur si “Obamacare”.

Sipas njoftimit zyrtar, kushdo që nuk ka mundur të përfundojë aplikimin, përmes faqes së internetit të dedikuar Kujdesit Shëndetësor, apo HealthCare.gov, do të mund të sigurojë ende një policë për vitin e ri.

Të hënën, qeveria shtyu afatin fillestar me një ditë më shumë, për shkak të kërkesave të larta dhe problemeve teknike që kanë ndikuar në funksionimin normal të uebsajtit.
 
HealthCare.gov ka hasur shumë probleme mbingarkese, që prej 1 Tetorit. Probleme këto, të projektligjit të nënshkruar prej presidentit Barack Obama, që kanë ndikuar ndjeshëm në një rënie drastike të popullaritetit të tij në SHBA.

Faqja e internetit u krijua nën ligjin për kujdesin shëndetësor të vitit 2010, që synonte të ofronte mbulim me sigurime për miliona amerikanë, të cilët ende nuk kanë një policë sigurimi shëndetësore.

“Ndonjëherë, pavarësisht përpjekjeve të tua më të mira, qëllon që të ndeshesh me vonesa, të shkaktuara nga trafiku i jashtëzakonshëm mbi HealthCare.gov, periudhave të mirëmbajtjes, apo çështjeve të tjera teknike me sistemin tonë, gjë që na kanë penguar ta përfundojmë procesin në kohën e duhur”, thuhej në një mesazh të uebsajtit të tregut federal, vetëm pak orë përpara afatit përfundimtar të së martës në mesnatë (06:00 e së mërkurës me orën tonë).

“Nëse kjo gjë ndodh edhe me ju, mos u shqetësoni. Ne ende do të kemi mundësi t’iu ndihmojmë për t’u pajisur me mbulime shëndetësore, duke nisur nga 1 Janari”.

Faqja e Kujdesit Shëndetësor, të njohur me emrin e presidentit “Obamacare”, ofron gjithashtu edhe numrat kontakti për ndihmë, duke iu kërkuar aplikantëve “t’u tregojnë punonjësve të shërbimit ndaj klientëve se janë përpjekur për të siguruar policën e shëndetit, e t’u thonë se përse nuk kanë mundur ta përfundojnë atë brenda afatit përfundimtar. Pas kësaj, ata do t’iu ndihmojnë juve për të përfunduar regjistrimin tuaj, në mënyrë që të përfitoni për vitin 2014”.

Dy shtete amerikane kanë shtyrë afatin përfundimtar për regjistrimet e vitit të ardhshëm me më shumë ditë, deri më 27 Dhjetor Maryland-i dhe deri më 31 Dhjetor Minnesota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA