Një vajzë palestineze vetëm 3 vjeçe është vrarë dhe të paktën 6 persona të tjerë janë plagosur, pas një serie sulmesh ajrore, si dhe me tanke, të Izraelit mbi Rripin e Gazës, bëjnë të ditur burime shëndetësore.
Mjekët thanë se vajza quhej Hala Abu Sabikha, nga pjesa qendrore e Rripit të Gazës, duke theksuar se “mes të plagosurve janë edhe 3 pjesëtarë të tjerë të familjes së saj”, gjatë ditës së martë.
Zëdhënësi i shërbimeve të emergjencës, Ashraf al-Qudra, tha se 6 persona janë plagosur pas sulmeve në seri, që erdhën si kundërpërgjigje e vrasjes së një izraeliti, më herët gjatë ditës, i cili po përpiqej të riparonte gardhin e sigurisë që ndan Gazën nga Izraeli.
Ministria e Brendshme e Hamas-it tha se Abu Sabikha dhe familja e saj u plagosën nga një sulm ajror në kampin e refugjatëve në Gazën qendrore, ndërkohë që konfirmoi se një tjetër person ishte plagosur lehtë nga bombardimi me tanke, pranë udhëkryqit Karni në veri të Gazës. Gjithashtu, ka pasur edhe dy sulme të tjera ajrore ndaj pozicioneve të militantëve në Gazën veriore, nga ku nuk raportohet për viktima.
Ushtria izraelite tha se avionët, tanket dhe këmbësoria “vunë në shënjestër pozicionet e terroristëve në Rripin e Gazës”, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e një izraeliti.
“Vendet e sulmuara ishin një fabrikë prodhimi armësh dhe një infrastrukturë terroristësh në jug të Rripit të Gazës, një tjetër vendndodhje terroristësh dhe infrastrukturë e tyre në qendër të Rripit të Gazës dhe një mekanizëm i fshehur për lëshimin e raketave në veri të Rripit të Gazës”, thuhej në një deklaratë të ushtrisë izraelite.
Top Channel