Policia e Egjiptit ka arrestuar ish-kryeministrin Hisham Qandil, në një apartament në Giza, një prej ndarjeve administrative të vendit, siç bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, EGYNews.
Qandil është dënuar nga një gjykatë me 1 vit burgim për përbuzje. Sipas gjykatës, ai dështoi të nxirrte një vendim për shtetëzimin e një kompanie private, ndërkohë që shërbente nën drejtimin e presidentit tashmë të rrëzuar, Mohammed Morsi.
Qandil ka qenë një ministër i Ujrave, shumë pak i njohur, i cili u bë kryeministri më i ri i vendit, kur Morsi e caktoi atë në atë pozicion në korrik të vitit 2012.
Morsi, i mbështetur nga Vllazëria Muslimane dhe presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, u rrëzua nga pushteti më korrik të 2013-s, teksa kritikuesit thonë se ai ishte një tiran, i cili po përpiqej të impononte vlera konservative.
Morsi ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuzat e nxitjes së vrasjeve, lidhur me protestat kundër regjimit të tij dhjetorin e kaluar. Ai ka refuzuar të njohë gjykatën deri më tani.
Qeveria e përkohshme egjiptiane e ka goditur rreptë Vllazërinë Muslimane, madje në shtator, nëpërmjet një vendimi gjykate, aktivitetet e grupimit u konsideruan të jashtëligjshme.
Ushtria dhe policia kanë burgosur një pjesë të madhe të zyrtarëve të Vllazërisë dhe mbështetësve të tyre, që prej rrëzimit të Morsi-t.
Qindra njerëz kanë vdekur në përplasjet mes demonstruesve pro-Morsi dhe forcave të sigurisë, që kur ushtria e rrëzoi atë përmes një grushti shteti.
Top Channel