Vladimir Petkoviç, trajneri i tanishëm i Lazios do të jetë njeriu që do të zëvendësojë Ottmar Hitzfeld në stolin e kombëtares së Zvicrës, informoi të hënën Federata Zvicerane e Futbollit.
Hitzfeld kishte konfirmuar më parë tërheqjen e tij nga futbolli në përfundim të Botërorit të Brazilit.
Aktualisht, Petkoviç është trajneri i Lazios, por disa rezultate të dobëta së fundmi kanë bërë që të flitet gjithmonë e më shumë për mundësinë e largimit të tij nga kryeqyteti italian.
Në fundjavë, bardheblutë pësuan një humbje të rëndë, 4-1 në Verona dhe sipas mediave italiane, Petkoviç mund të shkarkohet në 48 orët në vazhdim.
“Ndihem shumë krenar që Zvicra ka besuar tek aftësitë e mia. Ndihem krenar që do të marr drejtimin e kësaj skuadre të madhe. Kam kaluar 27 nga 50 vitet e jetës sime në Zvicër, vend ku ndihem mjaftueshëm si në shtëpinë time”, tha Petkoviç.
Top Channel