Miratohet në parim projektbuxheti

24/12/2013 00:00

Pas një seance rekord që ka kaluar mbi 24 orë debat pa nderprerje,
Parlamenti ka miratuar ne parim buxhetin e 2014 dhe paketën e re
fiskale.

Kryeministri Rama deklaroi se miratimi i ketyre masave financiare ka si efekt te pare pozitiv: “Po votohet për t’i dhënë më në fund, atyre që meritojnë më shumë vëmendje dhe atyre që meritojnë të paguajnë më pak pikërisht sepse fitojnë më pak, atë që ju është mohuar me vite të tëra dhe për t’iu dhënë 97 për qind të shqiptarëve mundësinë që të paguajnë më pak taksa, të kenë më shumë para reale në xhep”.

Sipermarrja e dyte e madhe e kesaj mazhorance, tha Rama, eshte shlyerja e borxheve te Qeverise paraardhese.

“Eshtë detyrimi që do do e bëjë Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Qeverinë e Republikës dhe jo përfaqësinë e një grushti njerëzish që morën borxh të ardhmen e këtij vendi, për të mbijetuar dhe për të venë mënjanë pasuri të mëdha, duke e lënë të tashmen të lëngojë nën peshën e këtyre borxheve”, tha Rama.

Por opozita tha se Qeveria po e çon ekonomine ne kolaps. Ish-ministri i Financave Ridvan Bode argumentoi se perse sipas tij masat e propozuara nga Qeveria jane teresisht te gabuara.

Ridvan Bode, deputet i PD: Nga një anë të zhyt duart në xhepat e qytetarëve dhe biznesmenëve për t’u marrë më shumë taksa, dhe nga ana tjetër të shtrijë dorën në arkat e bankave për të marrë kursimet e qytetarëve dhe të rrisë me lehtësinë më të madhe dhe në nivel më marramendës borxhin publik të vendit. Në fakt, të dy instrumentat e zgjedhur nga qeveria vecse përshpejtojnë kolapsin e ekonomisë.

Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes: Buxheti garanton në disiplinën e tij një deficit vetëm 4 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pas asaj katrahure financiare që keni lënë. Buxheti injekton në ekonominë shqiptare 1.1 miliard dollarë. Është shuma, është stimuli më i madh ekonomik nga një qeveri në 20 vjet.

Ridvan Bode: Ky buxhet që deklarohet nga ana e qeverisë se do të injektojë, do bëjë injektimin më të madh në të vërtetë, ter, than cdo burim për të financuar ekonominë.

Arben Ahmetaj: Janë 660 mln dollarë investime, 350 mln pagesa mbrapsht, 100 mln dollarë nga fondi rajonal dhe 80 mln dollarë nga Fondi i Zhvillimit.

Ridvan Bode:
Niveli i investimeve publike do të bjerë nën nivelin e 5 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky përbën një problem të madh për buxhetin, që pakëson edhe konsumin edhe investimet.

Arben Ahmetaj:
Vetëm në infrastrukturë 89 projekte të reja dhe 5 mijë vende pune. Gjithë Shqipëria do të jetë kantier, edhe veriu edhe jugu edhe Shqipëria e mesme do jetë kantier.

Rekordin e deklarimeve dhe diskutimeve ne Kuvend ne seancen 25-oreshe, e mbajti ish-Kryeministri Berisha qe ka marre fjalen shume here nga foltorja dhe vendi i tij. Ne deklarimin e fundit para miratimit, ish-kryeministri demokrat i uroi shqiptarët per Krishtlindjet dhe i ftoi ata ne protesten e buxhetit.

“Uroj që kjo ditë të na frymëzojë për drejtësi sociale, të na frymëzojë për një marshim drejt të vërtetave për të cilat ka nevojë çdo qytetar shqiptar”, u shpreh Berisha.

“Kësaj lirie të rikthyer Parlamentit, do t’i paguajmë edhe një çmim dhe çmimi dihet dhe unë do ta përkufizoja për këdo që na bën ta paguajmë këtë çmim me fjalët e Shekspirit tek “Komedia e gabimeve”: ‘Mjerë ti që gjuha të është bërë oratoria e turpit tënd'”, tha Rama.

Pa humbur kohë nga miratimi në parim i projektligjeve financiare, ka nisur diskutimi i tyre nen për nen në komisione, i cili do të zgjasë deri në datën 28 kur edhe do të miratohet në tërësi projektbuxheti dhe paketa e re fiskale.

Top Channel