F1, Hamilton: Gjithçka do të nisë nga e para

24/12/2013 00:00

Lewis Hamilton pret që ndryshimi i rregullores në Botërorin e Formulës 1 duke filluar nga sezoni i ardhshëm do t’i japë mundësi skuderive t’i japin fund dominimit të Red Bullit.

“Nëse do të bëhej fjalë thjesht për një evoluim të makinave aktuale, Red Bulli do të fitonte pesë, gjashtë ose shtatë kampionate të tjera. Jam i lumtur pasi tani gjithçka do të nisë nga e para”, deklaroi piloti i Mercedesit për ‘Autosport’.

Duke folur për kufizimin e naftës në vitin 2014, gjë që do të detyrojë pilotët ta kursejnë atë, Hamilton tha: “Nuk jam i shqetësuar pasi edhe këtë vit e kisha kujdes këtë aspekt. Gjithashtu duhen ruajtur edhe gomat.”

Hamilton beson se skuderitë do të përshtaten shumë shpejt me rregullat e reja, ashtu siç ndodhi në vitin 2009: “Futja e KERS-it nuk ishte e lehtë, por e provuam në simulator dhe gjithçka shkoi mirë, pavarësisht se atë vit McLaren-i nuk kishte një makinë që mund të luftonte për titullin.”

Top Channel