
Barcelona rimerr vendin e parë në kampionatin spanjoll. Skuadra katalanase mundi 5-2 Getafen në ndeshjen e fundit të vitit 2013 për të barazuar me pikë Atletiko Madrid, me këtë të fundit që mundi Levanten një ditë më parë.
Fillimi i ndeshjes ishte i vështirë për Barcelonën e cila për 15 minutat e para u vu në një presion të madh nga Getafe. Skuadra madrilene e mori avantazhin që në minutën e 10 me Eskuderon duke rritur entuziazmin, ndërsa në të 15-n Lisandro u dha një goditje të fortë katalanasve duke shënuar edhe golin e dytë për Getafen.
Ishin këto dy gola që zgjuan Barcelonën nga ajo përgjumje e minutave të para. Në minutën e 35, Pedro Rodrigez e dërgoi topi në rrjetë duke e çuar rezultatin në 2-1. Dhjetë minutat e mbetura të pjesës së parë ishin një torturë për Getafen që pësoi edhe golin e dytë, sërish nga Pedro. Pa u mbyllur pjesa e parë, Barcelona e ktheu rezultatin në favor të saj duke shënuar edhe golin e tretë. Edhe këtë herë ishte Pedro ai që ndëshkoi madrilenët.
Në pjesën e dytë, Barcelona vulosi gjithçka duke shënuar edhe 2 herë të tjera. Fabregas ishte autori i golit të katërt dhe të pestë, ky i fundit u shënua nga pika e bardhë e 11-metërshit duke e kthyer ndeshjen për Getafen në një zhgënjim të madh.
Fitore arriti edhe Reali i Madridit në Mestaja ndaj Valencias me rezultatin 3-2. Vuajti skuadra e Ancelotit në këtë ndeshje pasi valencianët nuk u dorëzuan në asnjë moment të takimit. Reali kaloi në avantazh me Di Marian, por Valencia barazoi me Piattin.
Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e madrilenëve që shënuan golin e dytë me Ronaldon.
Në të dytën Zheremi Matjë riktheu barazimin që zgjati deri në 8 minutat nga fundi kur Hese Rodrigez i dha fitoren skuadrës së tij.
Top Channel