Iniesta rinovon kontratën me Barcelonën

23/12/2013 00:00

Andres Iniesta ka zgjatur kontratën që e lidhte me Barcelonën deri në 30 qershor të vitit 2018. Mesfushori spanjoll hodhi firmën në kontratën e re mesditën e së hënës.

I pranishëm në firmosjen e saj ishte edhe presidenti i klubit katalanas, Sandro Rosell, zv/presidenti Josep Maria Bartomeu dhe drejtori sportiv Andoni Zubizarreta.

Në këtë kontratë saktësohet se duke nisur nga sezoni 2017-2018, kontrata do të rinovohet automatikisht vit pas viti, gjithmonë nëse lojtari do të luajë një numër të caktuar ndeshjesh në sezonin paraardhës.

Iniesta shprehu lumturinë e tij për këtë rinovim ditën e dielë, pas fitores ndaj Getafes: “Jam shumë i gëzuar. Më vjen mirë që po rinovoj duke u nisur edhe nga forma e skuadrës. Kur të përfundojë kjo kontratë do të jem 34 vjeç, pra do të jem pranë lamtumirës. Shpresoj që rendimenti im të jetë si tani.”

Kontrata e mëparshme e 29-vjeçarit përfundonte në vitin 2015. Iniesta luan me Barcelonën, përfshi ekipet zinxhir, që nga viti 1996 (12 vjeç).

Top Channel