Debati për buxhetin 2014

23/12/2013 00:00

Diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2014 në Parlament, nisi me replika
mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Duke e krahasuar këtë buxhet me paraardhësin, të cilin e quajti buxhet elektoral, Kryeministri Rama tha se buxheti i vitit 2014 shënon kthesën në drejtim të rimëkëmbjes ekonomike.

“Buxheti i 2014 nuk është një buxhet elektoral, siç ishte buxheti i vitit që po mbyllet, por është një buxhet i përballjes hapur sy më sy me krizën ekonomike dhe katrahurën financiare që kemi trashëguar. E megjithatë ky buxhet është më i madh se buxheti i këtij viti dhe nuk është buxhet krize, por një plan i qartë kthese ekonomike dhe sociale. Buxheti i vitit 2014, nuk është një buxhet elektoral investimesh për të prerë shirita dhe për të thirrur: ‘Përpara, rrugë, rrugë, rrugë…’ duke zhytur vendin në borxhe dhe duke e katandisur Qeverinë në një ‘Sude-pazar’, por është një buxhet i shlyerjes së borxheve ndaj atyre që lëngojnë dhe po njësoj atyre që po falimentojnë në mirëbesim të Qeverisë që iku”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se taksa progresive korrigjon padrejtësitë e së shkuarës dhe ndan në mënyrë të drejtë barrën e taksave mes qytetarëve dhe bizneseve.

“1 milionë shqiptarë treguan qartësisht qëndrimin e tyre mes taksës së sheshtë, e cila në praktikë i mori frymën shtresës së mesme, dërrmoi biznesin e vogël, varfëroi më shumë më të varfërit dhe taksimit të ndershëm që do të hyjë në fuqi në 1 janar, për t’i dhënë forcë ekonomisë familjare të shqiptarëve dhe për të vënë drejtësi në ndarjen e barrës së taksave mes njerëzve dhe bizneseve të këtij vendi. Ky buxhet është akti solemn i korrigjimit të padrejtësisë që e detyroi për vite të tëra infermieren të paguante më shumë taksa sesa ministri i Shëndetësisë, mësuesen dhe policin të paguajnë më shumë taksa sesa ministrat e tyre, shoferin e Kryeministrit të paguante më shumë taksa sesa vetë Kryeministri”, tha Rama.

Duke reaguar nga foltorja e Parlamentit, ish-kryeministri Berisha e quajti projektbuxhetin e vitit 2014, kartolinën e mashtrimit për qytetarët shqiptarë.

“Vetëm për buxhet nuk u fol këtu. Këtu u fol për opozitën dhe s’foli asgjë për 1 milion të papunë, 1 milion të varfër për të cilët është shprehur me mijëra herë. U tregove shqiptarëve se kartolina që u çon për Vitin e Ri është kartolina e mjerimit, është kartolina e mashtrimit, ndërsa buxheti që paraqite ka vdekur para se të lindë. Dëshmia më e saktë është, ekspozeja që i bëre sot atij”, iu drejtua Berisha-Ramës.

Rritja e çmimit të naftës
Rama: Përmirëson shëndetin dhe mjedisin. Berisha: Do të ketë rritje të çmimeve

Në maratonën e debateve spikati edhe ai për rritjen e çmimit të naftës. Ish-kryeministri Berisha tha se kjo qeveri premtoi uljen e çmimit, ndërsa tashmë po bën të kundërtën. Kjo, sipas tij, do të sjellë rritjen e të gjitha çmimeve në zinxhir. Por, kryeministri Rama tha se askujt nuk i pëlqen që të paguajë qoftë edhe 10 lek më tepër, paçka se kjo shkon për të përmirësuar shëndetin dhe mjedisin. “Kjo është e natyrshme, por ne nuk mund të mbyllim sytë si qeveria e mëparshme në 8 vjet”, theksoi Rama.

“Ju rrisni çmimin e naftës, në një akt cinizmi ekstrem, pasi u keni deklaruar shqiptarëve se do të ulni taksat për 97% të tyre. Ju rrisni çmimin e naftës, çmimi që ndikon më shumë se çdo gjë tjetër në çmimin e ushqimeve. Lereni fitness-in, se shqiptarët kanë 4 herë më pak vetura se gjermanët, austriakët, francezët apo britanikët. Në këtë rrugë që jeni, ju shumë shpejt do të nxirrni teorinë tjetër, atë të dy vakteve, mos hani mëngjes apo darkë, që të mos shëndosheni”, u shpreh Berisha.

“Askush nuk u pëlqen të paguajë, qoftë edhe 10 lek më shumë, paçka se kjo vlen për të pastruar ajrin dhe për të rritur kujdesin e shtetit për shëndetin e mjedisin. Kjo është e natyrshme, por ne nuk mund të ecim më tutje, asnjë vit tjetër, duke mohuar realitetin dhe duke mbyllur sytë, siç bënë këta, përpara plagëve të rënda, të vendit ku jetojmë, dhe të ekonomisë, me të cilën vendi po jeton. Lejomëni në fund, ta përmbledh me dy fjali gjithë këtë fjalim: Dhe vetë përmbajtjen e buxhetit të ri, atë të vitit të parë të qeverisjes, që Shqipëria e deshi më 23 Qershor. Kush e qeverisi Shqipërinë në 8 vjet, e qeverisi për veten. Kush do ta qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, do ta qeverisë për njerëzit”, iu kundërpërgjigj kryeministri Rama.

Kuvend, ndërpritet për 15 minuta seanca maratonë

Seanca maratonë mbi projektbuxhetin e vitit 2014 ka vazhduar edhe përgjatë orëve të para të ditës së martë, me komente e debate të përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës mbi paketën fiskale dhe buxhetin.

Për t’u veçuar, debati mes përfaqësuese të opozitës dhe zv/kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Dule, në lidhje me ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen për diskutim të projektbuxhetit në një ditë tjetër, për shkak të festës së Krishtlindjes, një ditë pushimi zyrtar në kalendarin e punimeve të Kuvendit, por që përfundoi me rikthimin në Parlament të kreut Ilir Meta dhe ndërprerjen e punimeve për 15 minuta, të kërkuar nga opozita, pasi më herët kishte reaguar deputetja e PD, Jozefina Topalli, e cila kërkoi vazhdimin e seancës, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Top Channel