Basketboll femra, Flamurtari fiton Kupën

22/12/2013 00:00

Flamurtari është fituesja e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra. Vlonjatet mundën në finalen e zhvilluar në Shkodër skuadrën e Tiranës me rezultatin 93-70.

Flamurtari e nisi mirë ndeshjen dhe duke përfituar nga shpërqëndrimi i vajzave bardheblu arriti të mbyllë periodën e parë me rezultatin 25-18.

Diferenca prej 7 pikësh i dha vlonjateve qetësinë e duhur dhe mundësinë për të mbyllur dhe periodën e dytë në favorin e tyre.

Tirana bën disa ndryshime në formacion, por as ato nuk sjellin ndonjë ndryshim të madh. Në periodën e tretë bregdetaret e drejtuara nga Toska krijojnë diferencën më të madhe të pikëve, pasi e mbyllin atë 24 pikë para. Vlonjatet lëshuan në 10 minutëshin e fundit, por jo aq sa për të rrezikuar trofeun e Kupës.

Kjo është hera e 16 që skuadra e Flamurtarit në basketboll për femra fiton Kupën e Shqipërisë.

Top Channel