Sipërmarësit shqiptarë në Itali

21/12/2013 00:00

“Në këtë vizitë kam ardhur të nënvizoj se edhe Shqipëria përfaqëson sot
një tokë shprese për sipërmarrësit italianë. E kemi filluar nga Pulia
këtë udhëtim, që do të shtrihet në disa etapa e në disa muaj, për të
përcjellë një mesazh të thjeshtë e të qartë”.

“Ne i presim krahë hapur të
gjithë ata sipërmarrës që duan të ndërkombëtarizohen, duke përfituar nga
kosto e punës konkurruese, nga një taksim shumë konkurrues dhe nga
vullnet shumë i madh nga ana Qeverisë sonë për të lehtësuar të gjitha
procedurat dhe për të bërë të mundur që ata që kanë përshkruar tashmë
një rrugë të rëndësishme në Shqipëri, të pasohen nga të tjerë, që sot
ndoshta do të duan më shumë frymëmarrje për sipërmarrjet e tyre”.

Pak ditë pas deklaratës së dhënë, ku Kryeministri Edi Rama u hapi dyert sipërmarrësve italianë të investojnë në vendin tonë, janë sipërmarrësit shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali, ata që kërkojnë që kreu i Qeverisë shqiptare t’i kthejë sytë edhe drejt tyre.

Gjate një konference të organizuar nga ASSOAlbania, Shoqata e Sipërmarrësve Shqiptarë në Itali, ata shprehën interes për të investuar në vendlindjen e tyre, për të mos qenë më thjesht dhe vetëm burim remitancash, por edhe kontribues të fuqishëm të rimëkëmbjes ekonomike.

“38 137 sipërmarrës shqiptarë në Itali nuk mund të harrohen dhe të përmenden 1460 sipërmarrës italianë në Shqipëri. Përpara duhet të flasësh me njerëzit e tu që ke në emigracion, ata janë shpresa e Shqipërisë. Eshtë një potencialitet për Shqipërinë i paimagjinueshëm. Nuk duhet harruar energjia e pashtershme e këtyre djemve që kanë ngritur aktivitetet me sakrifica të jashtëzakonshme”, thotë Nikolin Gjeloshi, president i ASSOAlbania.

Sipas të dhënave të Dhomës Italiane të Tregtisë, shqiptarët përbëjnë 6.6 për qind të totalit të sipërmarrësve të huaj, të huaj të përqendruar në Lombardi dhe Toskanë, por gjatë takimit ata e vunë theksin tek pengesat që hasin për të investuar në Shqipëri.

“Këtu në Itali unë personalisht çdo informacion që mund ta kërkoj e gjej. Ka më shumë mundësi në Itali, më shumë seriozitet. Flas nga ana burokratike. Në Shqipëri institucionet, për mendimin tim, janë shumë mbrapa. Sipërmarrësit pretendojnë shumë, kërkojnë shumë, japin shumë dhe punojnë shumë për këtë, kurse në Shqipëri nuk e gjejmë këtë. Nëpër zyra, kudo që shkoj unë gjej një indiferencë, nuk gjej mënyrën për të investuar, nuk gjej mënyrën se si mund të veproj”, thotë Gjergj Ndreu, sipërmarrës Emilia Romagna.

Zëvendësministrija e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Brunilda Paskali, e pranishme në konferencë, e angazhuar në emër të Qeverisë për nisje shumë shpejt të dialogut nga ana e Qeverisë edhe me këta sipërmarrës dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

“Unë besoj që Qeveria, Kryeministri, Ministria jonë e Ekonomisë do ta diskutojë së shpejti edhe këtë pjesë, sepse në fund fare investitorët shqiptarë, në vende si Italia janë pjesa tjetër shumë e rëndësishme që mund të japin një kontribut në zhvillimin e ekonomisë tonë. Mua vërtetë më bëri përshtypje fakti që janë vetëm në këtë zonë të Italisë 1050 ndërmarrje shqiptare”, tha Paskali.

Top Channel