Turqi, tjetër valë shkarkimesh në polici

20/12/2013 00:00

Vala e arrestimeve në radhët e drejtuesve të lartë të policisë turke është zgjeruar. Të paktën 14 zyrtarë të tjerë të lartë janë shkarkuar së fundmi nga ana e Ministrisë së Brendshme vendase.

Lajmi njoftohet nga mediat turke të cilat thonë se me shkarkimet e reja shkon në 66 numri i drejtuesve të lartë të policisë të shkarkuar në 3 ditët e fundit, që pas zbulimit të skandalit të korrupsionit që përfshinte djemtë e disa ministrave, të martën.

Deri më tani, tetë prej 66 të shkarkuarve kanë përfunduar në qeli në bazë të urdhër-arresteve dhe masave të sigurisë të lëshuara nga gjykatat e Stambollit dhe të tjera seanca vazhdojnë.

Mes arrestimeve që u kryen nga njësia e anti-krimit, në policinë e Stambollit ishin; djali I Ministrit të Brendshëm Muamer Gyler, atij të Ekonomisë, Jafer Kaglajan dhe të Mjedisit, Erdoan Bajraktar. Operacioni, që lidhet me hetimin më të madh për vjedhje me tenderat publikë, është parë gjërësisht, si sfida ndaj autoritetit të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdoan.

Analistët në Turqi thonë se operacioni i së martës është organizuar nga Fetullah Gylen. Një dekadë më parë, Rexhep Tajip Erdoani e ndryshoi fytyrën e politikës turke me farkëtimin e një aleance jozyrtare liderësh të biznesit, përfaqësuesish të klasës punëtore dhe besimtarësh.

Në radhët e saj ishte dhe lëvizja e mirëorganizuar islamike e Gylenit, që ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara prej 14 vjetësh. Kjo bazë e gjërë mbështetje i siguroi Erdoanit fitoren në tre zgjedhje të përgjithshme dhe e lejoi t’i mbijetonte dy javë protestash popullore, por jo mirë të organizuara në muajin qershor.

Megjithatë, javët e fundit kryeministri është armiqësuar me elementin e aleancës se tij, duke marrë në këmbim përndjekjen e njerëzve të tij nën akuzat e korrupsionit nga drejtues të lartë të policisë e krerë të gjyqësorit, që janë mbështetes të Gylenit.

Kjo luftë e brendshme mund të përbëjë një kërcenim jo të vogel për ambicien e padeklaruar të Erdoanit: kandidimin në presidencialet e 2014-ës. Rruga që ai ka zgjedhur megjithatë është ajo e kundërpergjigjes me moton: sy për sy, dhëmbë për dhëmbë.

“Turqia nuk është republikë bananesh apo shtet tribal i kategorisë së tretë, deklaroi kryeministri; Askush brenda apo jashtë kufijve nuk e zë dot në kurth vendin tim”.

Pesë krerët e pezulluar policore përfshijnë shefin e krimit financiar e atë të njësisë së krimit të organizuar, të përfshirë në arrestimet e së martes, e po kështu, pushim nga puna kanë marrë edhe drejtuesi i njësisë së anti-kontrabandës, ai i anti-terrorit dhe i fundit, shefi i degës së sigurisë publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA