
Që Shqipëria nuk merr statusin kandidat nuk përbën më lajm. Është viti i katërt që ndodh kjo. Lajm janë arsyet dhe motivet e ndryshme, të brendshme në Shqipëri dhe të jashtme në Europë. Lajm është fakti që në këtë vit të katërt statusi i refuzohet apo i shtyhet Shqipërisë, kur në pushtet ka ardhur opozita e dikurshme e majtë.
Përse ndodhi kështu? Cfarë ndodhi realisht në Bruksel? A bëri qeveria atë që duhet? Cfarë problematike mbarti ajo nga qeveria e mëparëshme dhe cfarë krijoi ajo të re? Dhe në fund të fundit a mos vallë po duket se më shumë se sa shqiptarët që po duan të futen në Europë janë europianët që nuk na duan ne aty duke na shtuar jo lodhjen e Europës, por lodhjen tonë për ta?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu dha përgjigje në emisionin e “Top Story” me Sokol Ballën ku të ftuar ishin përfaqësuesit e qeverisë dhe mazhorancës së majtë, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha përballë kundërshtarëve politikë ish-ministrja e Integrimit dhe kryetare e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu dhe ish-zëvëndësministrja e Integrimit dhe anëtare e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku.
Korrespondenti i përhershëm i Top Channel në Bruksel, Ernest Bunguri tha se refuzimi ishte një rezultat i pritshëm. “Po ta përmbledhim me pak fjalë, megjithë hyrjen në NATO, liberalizimin e vizave, vendi ka një imazh ku korrupsioni është ulur këmbëkryq. Kjo është pjesa kryesore ku na kërkohet më shumë punë. Me sa duket, qeveria e re nuk pati shumë kohë, pavarësisht sinjaleve të dhëna, por kjo nuk është vetëm puna e qeverisë. Opozita ka rolin e saj në hallkat e tjera të sistemit gjyqësor, prokuroria e cila duhet të veprojë në mënyrë të pavarur. Mendoj që si vjet ashtu edhe sivjet, Brukseli për të na dhënë një status për të kaluar në hapjen e radhës, nuk kërkon ndëshkim të zyrtarëve të lartë për të treguar që po fillojmë. Korrupsioni nuk luftohet në 1-2 vite por duhet ta fillojmë diku”.
Mos ndoshta sinjalet e dërguara nga qeveria e re ishin të pamjaftueshme në atë vendimmarrje kontradiktore të Brukselit, pavarësisht mbështetjes totale të Komisionit dhe të Parlamentit Europian dhe një refuzim pothuajse konsensual nga Këshilli i Ministrave të BE-së?
Kësaj pyetjeje, ministri Bushati iu përgjigj: Nuk kemi të bëjmë me refuzim, pavarësisht se nuk u kurorëzon përpjekjet tona për të marrë statusin, por kemi të bëjmë me një shtyrje, kur Këshilli i Ministrave lë të qartë qershorin si një mundësi për një vendimmarrje. Nuk mund të thuhet që nuk janë bërë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim, sidomos me reformat në ato fusha ku nuk ka patur tregues konkretë nga qeverisjet e mëparëshme, por edhe në ato fusha ku ka patur reforma dhe ku ka qenë i nevojshëm konsolidimi i arritjeve dhe ne e kemi thënë shpesh që ky proces nuk ka nisur me ne dhe nuk do mbarojë me ne. Ne ndërtojmë mbi arritjet e qeverive të mëparëshme, që nga ’91 dhe në këtë drejtim është e rëndësishem të theksohet që për Shqipërinë nuk ka kushte të reja. Vendet anëtare në një shumicë të qartë kanë qenë për t’i dhënë Shqipërisë statusin si një sinjal inkurajomi dhe sinjal që besueshmëria është kriteri thelbësor mbi të cilat bazohet zgjerimi sepse mos të harrojmë që vjet KE propozoi një status të kushtëzuar, ku u vendosën një masë kushtesh që Shqipëria duhet të përmbushte, dhe Këshilli i Ministrave dhjetorin e 2012-ës, me po të njëjtat vende anëtare vendosi për këtë përqasje që Shqipëria duhet të plotësonte këto kushte, së bashku me procesin zgjedhor që konsiderohej si një test për maturinë politike të Shqipërisë dhe në momentin që Shqipëria do të përmbushte këto atëherë sërish BE do të akordonte statusin e vendit kandidat. Jemi në kushtet kur BE ka kërkuar shtyrjen sepse vendimi i Këshillit të Ministrave është një vendim politik që kërkon unanimitet të plotë. Sa i përket detyrave tona besoj që kemi qenë në sintoni të plotë me shërbimet e Komisionit, me të gjitha proceset që kanë nisur edhe në nivelin e dialogut të lartë mes Shqipërisë dhe BE-së dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe sa i përket kontakteve dhe takimeve me pjesën kryesore më vendimmarrëse të BE-së. Nëse gjatë këtyre 3 muajve do të më duhet të bëj një bilanc, e kam të vështirë të gjej një Ministër të Jashtëm të një prej vendeve anëtare të BE-së që nuk e kam takuar për këtë cështje, e kam të vështirë të gjej një Ministër të Punëve të Jashtme që nuk kam telefonuar dhe nuk kam punuar për këtë cështje dhe e kam të vështirë që të gjej një ambasadë tonën që nuk ka qenë e angazhuar për të përcjellë këtë mesazh të qeverisë shqiptare dhe të klasës politike dhe në cdo takim jemi përpjekur për të përfaqësues Shqipërinë dhe jo thjesht qeverinë. Pavarësisht ndarjeve dhe debateve të thella që kemi në Shqipëri, cështja e statusit të vendit kandidat do të ishte sinjali më i drejtë, më i qartë për shqiptarët e Shqipërisë, por edhe për shqiptarët që jetojnë në rajon sepse nuk do të krijonte përshtypjen e linjave të reja ndarëse që me keqardhje kam vënë re që të paktën një pjesë e opinionit publik i ka shprehur.
Në këndvështrimin e opozitës, është shtyrje apo refuzim i statusit?
Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu tha: “Cfarë ndodhi me procesin e integrimit dhe hapat për marrjen e statusit gjatë këtyre 3 muajve? Debati i sotëm nuk mund të jetë një debat teknik se c’detyrime realizuam sepse të gjitha detyrimet që ishin përcaktuar për marrjen e statusit u realizuan kënaqshëm sa për të marrë statusin kandidat, ndaj në tetor Komisioni konfirmoi se Shqipëria meriton marrjen e statusit kandidat dhe e konfirmoi për herë të dytë. E konfirmoi dhe e propozoi edhe vjet, por vjet kishim 3 kushte të cilat duheshin plotësuar. Nga tetori i 2012 deri në përfundim të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, cdo ditë kemi dëgjuar nga përfaqësues të mazhorancës sot, se 3 kushtet nuk ishin për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ka patur deklarata nga kryetari i opozitës së atëherëshme dhe Kryeministri i sotëm se zgjedhjet ishin kusht për marrjen e statusit kandidat dhe jo 3 ligjet. Në rast se Shqipëria do të bëjë zgjedhje të lira dhe të standardit europian, uroj që Shqipëria ta marrë statusin në vjeshtën e vitit të ardhshëm, ka thënë zoti Bushati. Të njëjtën gjë ka thënë zoti Rama. Ka patur deklarata politike që e shtynë procesin gjatë gjithë kohës duke u munduar t’i vinin një kusht që nuk ishte, realizimi i zgjedhjeve. Megjithatë, zgjedhjet janë të rëndësishme, janë një test i demokracisë dhe ndodhnin në një kohë para marrjes së statusit ishte një kusht i plotësuar për të marrë statusin dhe për të bindur më shumë vendet anëtare se Shqipëria realizoi zgjedhjet shumë të mira, ato nuk ishin kusht, por u ndodhën në mes të kalendarit kohor. Zgjedhjet parlamentare nuk ishin kusht për të marrë statusin kandidat vjet, por zgjedhjet parlamentare kur u vonua votimi i 3 ligjeve dhe dogjëm të gjithë etapat dhe kur u votuan 3 ligjet vetëm sepse LSI e detyroi Ramën t’i votonte, sigurisht që zgjedhjet në qershor do të ishin një takim i rëndësishëm dhe test për demokracinë. Me zgjedhjet të realizuara mirë, me një kalim pushteti tranzitor, me një situatë ekonomike stabël, me të gjitha detyrimet të plotësuara, për të marrë statusin në 16 tetor KE thotë ‘Po’, PE voton ‘Po’, opozita propozoi një rezolutë në parlament dhe votuam të gjithë ‘Po’, përfaqësues të vendeve anëtare thonë ‘Po’, ministrat nisën për lobim dhe vijnë deklarata të tyre dhe nga kryeministri i vendit që Shqipëria në 2013 merr statusin, në dhjetor thotë Rama marrim statusin sepse plotësuam kushtet, vazhdon zoti Bushati në lobimin e tij mbështetjen e Francës, po kështu të Gjermanisë dhe me radhë. Tani, mund të më thoni se cfarë ndodhi nga data 16 tetor deri në datën 17 dhjetori ku statusi i fituar dhe i konfirmuar, na u refuzua? Dhe për të qenë të vërtetë duhet të marrim në shqyrtim dhe të themi pse vendet të cilat nuk u shprehën skeptike në fillim, Holanda gjithmonë ka një qëndrim skeptik ndaj zgjerimit, por pse vendet të cilat ministrat u nisën për lobim, morën mbështetje, cfarë ndodhi që Gjermania, Franca, Danimarka dhe Britania e Madhe, në të cilën kanë edhe garancinë më shumë, ish-kryeministrin e Britanisë? Cfarë ndodhi që na u refuzua më 17 dhjetor? Cfarë ndodhi që ne përcjellim cdo ditë dhe i përcjellim mesazhe të ndërkombëtarëve ‘jini seriozë dhe jo konfuzë në cështjet e integrimit’, sic ishte mesazhi i Jonathan Moore në Tiranë? Këtu ka një pikëpyetje të madhe. Mazhoranca mund të thotë që nuk janë plotësuar kushtet kundër korrupsionit dhe krimi, është cështje që do të vazhdojë ndër vite, është cështje kyc për BE-në, për faktin dhe arsyen tjetër se përceptimi që kemi ne për dëmin që i kemi bërë vetes është shumë i madh. Por një kryecështje që mazhoranca sot nuk e përmend, por që nga janari i vitit tjetër, do të rëndojë cdo qytetar shqiptar dhe do ta bëjë vendimin e qershorit jorefuzues, por të vështirë për t’u marrë. Është cështja e krizës ekonomike që po ulet këmbëkryq në këtë vend dhe për krizën ekonomike, ky ka qenë mesazhi kryesor që Barroso i ka dhënë Ramës. Dy kanë qenë mesazhet, kujdes situatën ekonomike dhe bashkëpunimi me opozitën. Për të dyja sot kemi një situatë që ka zbritur nën nivelin zero.
Pyetjeve të ngritura nga zonja Bregu për cështjen e lobimit dhe garancive të marra për marrjen e statusit dhe mesazheve të Barrosos kundrejt kryeministrit Rama iu përgjigj Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.
“Vendimi është i rëndësishëm, por për ne nuk është në asnjë mënyrë refuzim. Është një shtyrje për të diskutuar sërish. Madje në atë vendim unanim ka ardhur si një mesazh pozitiv për qeverinë e re dhe për gjithcka ka ndërmarrë qeveria në 3 muajt e fundit. Është një mesazh për të vazhduar reformat jo vetëm për integrimin, por që do t’u ndryshojnë jetën qytetarëve dhe do t’i bëjnë ata europianë brenda Shqipërisë së tyre. Kjo është pjesa më e rëndësishme dhe prioriteti me të cilën qeveria shqiptare ka nisur punën e saj që ditën e parë. Parësore ka qenë integrimi europian dhe gjithcka tjetër, reformat, plani i masave kanë ardhur si pasojë e këtij projekti prioritar. Që në ditët e para nisën një plan masash për të dhënë një sinjal jo vetëm tek vendet anëtare të BE-së por edhe tek qytetarët shqiptarë që ne jemi të vendosur të luftojmë korrupsionin, krimin e organizuar me reformat të cilat qënësisht mund të merrnim rezultate të mira. Madje kemi prodhuar edhe një dokument zyrtar që është miratuar nga qeveria shqiptare dhe shumica e atyre masave sot janë zbatuar dhe janë raportuar tek vendet anëtare dhe të Komisioni Europian. Kemi punuar bashkë me ta për të gjithë planin e masave dhe kemi marrë edhe përgëzime për këtë plan masash. Nuk është pak për një qeveri që ka vetëm 3 muaj që ka marrë pushtetin, në një periudhë jo më të mirën e duhur, sepse kriza ekonomike ka qenë pjesë e Shqipërisë edhe në vitet e mëparëshme dhe kjo rëndon edhe në ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave. Por raport-progresi teknik i Komisionit Europian, pak ndikon në vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave të BE-së ku merret një vendim politik. Kjo nuk varet vetëm nga arritjet, vullneti dhe vendosmëria jonë, por edhe nga një situatë e përfshirë në shumë e shumë vende të Europës, apo edhe nga një politikë e lodhshme zgjerimi nga shumë vende të Europës, që mund t’i quajmë edhe skeptike, pra ato që kanë qenë deri diku skeptike ndaj Shqipërisë, janë ato vende që kanë një politikë zgjerimi të ulët. Sa i përket cështjes së imazhit mund të them që është bërë gjithcka për të përcjellë mesazhin që duhej në Bashkimin Europian, në Komision dhe tek të gjithë vendet anëtare. Jo vetëm për të folur se kush jemi ne, por për të shpjeguar një plan konkret që është ndërmarrë nga qeveria e re dhe me shifra konkrete.
Korrespondenti i Top Channel në Bruksel, Ernest Bunguri ndërhyri duke thënë se politikat e Bashkimit Europian kanë ndryshuar dhe se statusi nuk garantonte më shumë fonde, por se ato fonde sigurohen edhe pa status, nëse Brukseli vëren se një vend i meriton. Sipas tij, i vetmi përfitim nga statusi është nisja e bisedimeve për anëtarësimin.
Por deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku tha se përfitimet nga marrja e statusit nuk mund të minimizohen tani, vetëm sepse sot jemi në qeveri dhe dje ishim në opozitë. “Mund të ketë një përfitim maksimal prej 20 përqind të fondeve ekzistuese por ajo që është më e rëndësishmja është mbështetja buxhetore dhe që nuk kemi pse shtrëngohemi që të marrim kredi në këto kushte shtrënguese nga FMN, sic po merret tani. Në tetor, në progres-raport të gjithë shqiptarët kuptuan se statusi është i marrë. Në takimin me Barroson, në një artikull për shtyp thuhet, Barroso: Statusi në dhjetor. Inkurajohen reformat e ndërmarra, vlerësohet progresi i arritur dhe vendosen pesë prioritete që në kuptimin tonë dhe të qeverisë ishin prioritete sa i përket hapjes së negociatave, sepse për statusin ne nuk diskutuam asnjëherë që ishte në pikëpyetje. Sot kemi një dinamikë tjetër edhe në parlament, që nuk e kishim dje, konsensusin për cështjet madhore të vendit dhe kjo dinamikë e re sigurisht që ka shumë rëndësi. Nëse në progres-raportin e tetorit njihet ruajtja e vendit nga kriza ekonomike, në këto 3 muaj kemi patur një sprapsje të kësaj situate, kemi patur një ndryshim të vlerësimit nga B+ në B nga S&P, kemi një rritje të borxhit me 13 përqind dhe një nga elementët kryesorë që përmendet edhe në strategjinë e zgjerimit, është që cdo qeveri që nesër pretendon statusin apo të bëhet vend anëtar, duhet që patjetër që politikat fiskale, politikat monetare dhe politikat e borxhit t’i ketë në një linjë me vendet anëtare. Unë ngre një pikëpyetje në lidhje me angazhimin e qeverisë, ka patur dëshirë për ta marrë statusin apo jo? Cfarë ndodhi dhe cfarë ndryshoi nga tetori deri më sot? Jemi në një moment ku nuk duhet të gjejmë fajin tek të tjerët, ku nuk duhet të flasim për skepticizmin që ka qenë aty gjithmonë. Diheshin vendet skeptike, por në këtë moment duhet të bëjmë një analizë se cfarë ndodhi në këto 3 muaj, cilat ishin masat që duheshin marrë dhe nuk janë marrë. Unë nga deklarata e djeshme lexoj që; kemi kohë që dëgjojmë nga aleatët tonë që kërkojnë më shumë kohë për të marrë vendimin për ne. Pra është dicka e ditur për mazhorancën, ne si opozitë nuk dinim gjë. Pra mazhoranca e dinte që në dhjetor statusi nuk do të merrej, të paktën këtë kuptoj nga deklarata e zotit Rama dhe intervista e zotit Kukan. Por ndoshta mund të mos keni patur dëshirë marrjen e statusit në këtë moment, për arsye që mund t’i kuptoni vetëm ju.
Pretendimet e deputetes Tabaku se ka patur një angazhim nga qeveria për të mos marrë statusin në dhjetor, i hodhi poshtë Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai tha se në biseda konfidenciale me ministra të jashtëm të Bashkimit Europian ka dëgjuar të flitet për “qershorin që qeveria aktuale të mos ndante suksesin e këtij vendimi me qeverinë paraardhëse”. Bushati tha se asnjëherë në detyrën e tij nuk ka ndarë dhe nuk do të ndajë në copëza procesin e integrimit, se cila i takon qeverisë së djeshme apo cila qeverisë së sotme, por se e sheh gjithë procesin si një të tërë. Ai bëri thirrje që procesi të mos diskutohet politikisht, por të shihet shkaqet reale se përse nuk u dha statusi në dhjetor. Kryediplomati tha se sinjalet nga vendet anëtare ka patur vazhdimisht sinjale pozitive për marrjen e statusit. Megjithatë, tha ai, vendi ynë ka ende probleme me ndërtimin e një shteti demokratik, ndaj kjo duhet marrë kjo seriozisht, jo se e kërkon BE, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Bushati tha se qëndrimi i qeverisë dhe kryeministrit Rama ka qenë koherent duke thënë se është një proces i realizueshëm, por jo i përfunduar.
Në pjesën e dytë të “Top-Story”, e para fjalën e mori ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha. “Dua t’i rikthehem një akuze që u bë këtu për mungesën e vullnetit të qeverisë për marrjen e statusit dhe kjo është një akuzë me të vërtetë e rëndë. Është shumë e rëndë t’i thuash sot shqiptarëve që qeveria e prishi procesin për një arsye thelbësore, që ky është prioritet i të gjithë shqiptarëve. Ne jemi pjesë e Europës do apo nuk do opozita dhe të gjithë shqiptarët, në vetvete dhe në vlera ndihen europianë. Patjetër që ky do të jetë prioritet i çdo qeveria, jo vetëm i asaj që ishte, por edhe i joni dhe atyre që do të vijnë. Nuk mund të themi që nuk e duam procesin kur kemi qindra-mijëra qytetarë e studentë që jetojnë në vendet e Bashkimit Europian, kemi biznese të përbashkëta me këto 28 vende, ndaj është shumë e rëndë të thuhet kjo. Aq më tepër kur kjo akuzë vjen nga dy anëtare të cilat kanë qenë vetë të përfshira në këtë proces dhe e kuptojnë se ai është i shoqëruar me ulje e ngritje të herëpashershme, të cilat jo të gjitha varen prej nesh”, komentoi ministrja Gjosha.
“Ndoshta vendet e BE-së kanë dashur edhe disa muaj për të parë të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, por akuza është e rëndë edhe sepse unë kam qenë pjesë edhe e qeverisë së mëparshme, ndaj procesii Integrimit nuk bëhet dhe koordinohet vetëm nga kjo ministri, kontribon cdo kusht, edhe në nivel drejtori apo ministry, ndaj është e rëndë të më thuhet mua dhe forcës që unë përfaqësoj, kur kemi qenë ne që kemi ngritur vazhdimisht zërin që kjo reformë duhet të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur. Që nga dita e parë, gjithçka është ndërtuar mbi këtë prioritet absolute dhe mbi të gjitha nuk mund të hedhësh një akuzë kur asnjë nga 28 vendet nuk është shprehur negativisht për të gjithë procesin që ne kemi ndërtuar ndër vite, e këto jkanë mesazhe të rëndësishme që duhen kuptuar drejt”.
Në një replikë të menjëhershme, paraardhësja e Gjoshës në detyrën e saj, ish-ministrja Bregu riktheksoi pikërisht këtë akuzë, mbi mungesën e vullnetit të kësaj mazhorance për të kryer me sukses bisedimet për marrjen e statusit. “Nuk ka akuzë më të rëndë dhe nuk më intereson nëse këtu mërzitet qeveria, sepse kemi marrën votën pikërisht për të qenë këtu ku jemi. Kjo është një skemë disa-vjeçare e partisë sot në pushtet, që thonë “E bëmë punën, na thanë që jemi mirë, por nuk ishte e mjaftueshme””, nisi përgjigjen e saj Bregu.
“Le të mos harrojmë që për dy vjet, ishte kjo mazhorancë ajo që nuk votonte në Parlament ligjet që do të kishin sjellë që më parë marrjen e statusit të vendit kandidat. Vjet u vendos dhe u tha fare qartë, mos vendosni interesat partiake mbi ato kombëtare dhe tre ligjet janë kusht për dhënien e statusit kandidat. Zgjedhjet nuk janë kusht për statusin, por janë të rëndësishme pasi testojnë demokracinë e një vendi. Por, a ishit ju ata që pavarësisht ftesave votuat kundër? A ishit ju që votuat kundër ligjit antimafia, që nuk ishit në Parlament kur u votua liberalizimi i vizave dhe një vit shtyrë votimin e tre ligjeve?”, vazhdoi me tone të ashpra konstatimin e saj ish-ministrja e Integrimit.
“A ju kujtohet Ditmir, sa herë ju kam thënë që e kuptoja sikletin tuaj pasi kryetari i një Komisioni të Integrimit nuk mund të votojë kundër tre ligjeve që sjellin integrimin… A ishit ju ata që atë që e votuat në 30 Maj, vetëm sepse u detyruat nga Meta dhe e prishët menjëherë punën kur erdhët në pushtet. Administrata publike nuk ishte kusht dhe u vu sepse u pa që po e çmontonit. Deri në nëntor ju kanë thënë “PO”, e pastaj çfarë ndodhi??? Komisioneri ju ka thënë hapur mos vendosni interesat partiakë mbi të gjitha… “.
Pas një ndërhyrje të shkurtër të ministrit të Jashtëm Bushati, i cili i kërkoi zonjës Bregu që të fliste me referenca të qarta dhe të citonte si duhej personazhet e politikës së jashtme, kjo e fundit shtoi: “Do të them që ky është procesi më i mirë? Të them si kryeministri që je ministër i mirë? Jo, nuk është kjo çështja. Në opozitë një ditë thonit nuk votojmë prej kryetarit të Qarkut të Fierit, pastaj thatë tre ligjet s’janë detyrim, tha Rama në fushatë hiqni gjyshin të merrni statusin.. Ja iku gjyshi, duke iu lënë detyrimet e plotësuara… Pse nuk e morët pra statusin?”.
Në vazhdim, në studio fjala i kaloj zonjës Tabaku: “Duke vazhduar në linjën logjike të zonjës Bregu, për të përmendur një deklaraëtë të zonjës Merkel e shoqëruar dje nga zëdhënësi, u tha se Shqipëria duhet të miratojë ligje dhe refora të tjera. Janë një sërë ligjesh, por ju çfarë keni bërë gjatë kësaj kohe? Ju a morët ndonjë masë në këtë drejtim? Unë gjykoj se marrja e statusit dhe marrja e negociatave mund të ketë problem për një sërë ligjesh të reja që qeveria paraqet dhe të gjithë e dinë që duke marrë statusin, të gjithë ligjet duhet të përputhen me ato europiane. Prsh, paketa antimafia dhe ajo kundër krimit të organizuar, të gjithë e thanë në një gojë, mes tyre OSBE, që paketa nuk është në frymën e luftimit të korrupsionit, por ka për bazë përqendrimin e luftës në politike. Ky shqetësim i imi më bën të besoj që në këto tre muaj s’ka pasur asnjë reformë konkrete për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
“Zoti Basha, në tre muaj ka bërë lobim me partitë tona simotra ku ka pasur mundësi, ndërsa kryeministrin tuaj e kam parë vetëm në një takim të diskutojë për statusin dhe kur lexoj deklarata që përcaktimi si një moment kyç i qershorit na bën ne të mos demotivohemi, por bota po ndryshon me shpejtësi dhe mbyllja BE-se bën atë më të sigurt e të fortë unë se kuptoj dot.. Përveç se ne po afrohemi ata largohem, edhe fakti që po mbyllen e s’janë as të fortë nuk arrij dot t’i kuptoj dot. Nëse këto deklarata nuk janë mungesë vullneti politik për t’u afruar sa më afër me BE, nuk mund t’i konsideroj gjë tjetër përveçse dilentatizëm”, shtoi deputetja Tabaku.
Në një lidhje me emisionin nga Brukseli, korrespondenti i “Top-Channel”, Ernest Bunguri solli në vëmendje rastin e Sanaderit në Kroaci, ish-kryeministrit të burgosur. “Në raporte shkruhet qartë që hetimi, gjykimi dhe burgosja e personave të korruptuar është thelbi, ndaj besoj që dita kur në Shqipëri do të përfundojë në burg ndonjë figurë e rëndësishme do të jetë edhe ajo kur do të marrim statusin. E kjo nuk bëhet me vullnet politik, pasi Sanaderin nuk e futi në burg as partia e tij dhe as ajo kundërshtare, por prokurori i pavarur, që paradoksalisht kishte qenë me të shok klase. E njëjta gjë pozitive mbetet realizimi që ka shfaqur kjo qeveri, e cila pranon se për të arritur në Bashkimin Europian do të duhen minimumi dhjetë vjet, në kundërshtim nga qeveria e mëparshme që e reklamonte statusin si momentin përfundimtar të rrugës së anëtarësimit”, komentoi Bunguri.
“Zonja Bregu nuk është se bëri akuza, tha vetëm që unë kam bashkëpunuar, unë kam bashkëpunuar pavarësisht se përfaqësoja opozitën dhe i bie që unë kam bashkëpunuar me kokën time e s’ka pasur një qëndrim të qartë”, mori fjalën në studio ministri i Jashtëm, zoti Bushati.
”T’i referohemi fakteve. Këtu u thanë disa gjëra dhe në fakt unë mendoj se të dy zonjat janë në të njëjtin qëndrim që kanë mbajtur edhe eprorët e tyre apo pjesa më lart e lidershipit në PD. Në rast se do t’i referohemi qëndrimit të kryetarit të PD në detyrë, “Rama-Meta bllokon statusin dhe i ktheu vendet në skeptike”. Po kështu, kryetari tjetër thotë me “Rama-Metën nuk ka status për shkak të luftës ndaj institucioneve të pavarura” dhe gjithmonë më lart qëndron Topalli, më imagjinativja, që thotë tani të ruajmë vizat se “Rama e Meta bllokuan statusin për herë të tretë për të mbrojtur shokun e tyre”. Këtu kam dëgjuar shumë gjëra, deri sa dolëm tek dilentantizmi i politikës së jashtme, etj etj. Nëse këto të opozitës janë të vërteta, i ftoj të lexojnë mirë konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së, që është dokumenti zyrtar i BE-së, pasi nuk mbeten këto që ne themi në takime të ndryshme”.
“Nuk ka përveçse përgëzime dhe inkurajime për punën e qeverisë shqiptare. Nuk po them ç’më është thënë mua personalisht nga x apo y, nuk po bëj diversion as ndaj zonjës Bregu që ka koordinuar procesin”, vazhdoi argumentimin e tij Bushati. “Por, po marr një rast, kryetari në detyrë ka folur për shkatërirmin e administratës. Supozojmë që është e vërtetë. Atëherë si ka mundësi që në konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së nuk ka asnjë referencë për administratën… Cilat janë dy dimensionet për publikun. Kemi dy elementë, i pari është traseja e reformave shtetndërtuese. Ernesti kërkon një kokë turku dhe unë them që nuk mjafton. Unë them Shqipëria ka nevojë të tregojë se është një vend normal dhe aktualisht s’jemi një i tillë. Mjafton t’i referohesh deklaratës së para dy ditëve nga KLD për të kuptuar që s’jemi një vend normal, mjafton të shohësh udhëtimet e një pjese të mirë të gjyqtarëve në fundjave, mjafton të shohim “Stephan Platz”, dhe atë që bëri qoftë Kroacia, të kuptosh se nuk jemi vend normal nga pikëpamja e së drejtës. “Transparency International”, unë mund të kem një objeksion se është përceptim apo e bën gruaja e Kreshnik Spahiut sipas Bregut, por ai është një përceptim që na rendit keq. A kemi problem me imazhin? Kemi, a mund ta zgjidhim për 3 muaj apo 6 muaj këtë? Jo. Nuk mund të abstragojmë as me faktin që zgjerimi është një element strategjik, nuk mund të abstragojmë me atë që po ndodh në Ukrainë, ku vetë personazhe të BE-së akuzojnë se ndërsa ata po ulen me protestuesit, Rusia po vepron… Nuk mund të abstragohet me faktin që personalitete të ndritura të Europës së sotme pranojnë se mund të kemi një rritje të përfaqësimit të poleve ekstreme në Parlamentin Europian dhe unë e shoh më të vështirë kauzën tonë që të avancojë me ato ritme që dëshirojmë, e Parlamenetet Kombëtare po bëhen më të zëshme, duke e lidhur këtë proces gabimisht, fatkeqësisht me çështje që s’kanë të bëjnë me këtë problem, përfshi emigracionin”.
Duke marrë të drejtën për të ndërhyrë, zonja Tabaku i shtroi një pyetje të qartë ministrit: “A do ta marrim të paktën statusin në qershor?”.
“Ky është një ndryshim rolesh në emision”, u përgjigj me një batutë Bushati. “Normnalisht që proceset e brendshme të BE-së do të ndikojnë. Unë këtu po flas me shqiptarët hapur dhe prapë po them që periudha deri në qershor është delikate brenda për brenda BE-së dhe pashë edhe aprovim nga Bregu sepse edhe kur diskutonim para një viti, binim dakord që ka disa vështirësi. A do të jetë qershori? Nëse unë i referohem asaj që ministrat kanë shkruar për ne, në dallim me atë që bënë me Serbinë kur bënë këtë shtyrje, gjykoj që gjuha është më e favorshme, por ky është leximi im personal”, saktësoi Bushati.
“Po e miratoja zotin Bushati për shpjegimin e tij teorik dhe skolastik për situatën në 6 mujorin që vjen në BE, për hallet, mosvëmendjen e tyre, tërmetet, zgjedhjet etj… Normale është që kur komisionerët kanë zgjidhje për vete, të mos jenë aq të interesuar. Po dëgjoja analizën tuaj se çfarë do t’i ndodhi BE-së edhe mua këtu më lind një deduksion, nëse BE nga njëri vit në tjetrin do të kenë vende zgjedhje, sepse normalisht cdo vit ka duke qenë se janë 28 shtete, ju do të bëni ndonjë gjë si qeveri për të përmbushur detyrimet? Ndryshe mbylleni këtë kapitull dhe kur të bëhet BE më e sigurt e më e fortë, atëherë le të aplikojmë me procesin e integrimit sërish”, replikoi Bregu.
Në komunikimin e tij të fundit në mbyllje të kësaj pjese të dytë, zoti Bunguri shtoi: “A po ftohet procesi? Meqë jetoj në Belgjikë di që një nga përfaqësuesit e shtetit belg ishte në Shqipëri gjatë zgjedhjeve dhe mbeti i impresionuar për mirë, ndaj ju e dini se çfarë qëndrimi pozitiv mbajti Belgjika. Pjesa tjetër, është e vërtetë që ka vende që shfrytëzojnë interesat e tyre personale, por kjo është pjesë e diplomacisë dhe opozitës nëse kanë kontaktet e duhura që të negociojnë me imazhin e keq të korrupsionit. Nuk jam unë që kërkoj kokë turku dhe as vendet anëtare, por vetë koha, mometi, është vendi që të kuptojmë që nëse ka një plagë që na shkatërron dhe i biem rrotull sa të duam është korrupsioni që duhet luftuar nga të gjithë ne. Zonja Bregu tha që ka punuar për mirëqënien e qytetarëve dhe unë uroj që ajo të punojë aq fort, sa të gjithë qytetarët të arrijnë mirëqënien dhe makinën e saj”.
Në Kuvend, ish-kryeministri Berisha akuzoi mazhorancën e majtë për politika bllokuese të integrimit, që nga liberalizimi i vizave e deri tek statusi, ndërsa një ditë pas dhënies së vendimit për statusin nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, kryeministri Edi Rama la të kuptohej se ky refuzim kishte ardhur për shkak të procedurave të vendimmarrjes në BE dhe përcarjeve vetë brenda saj.
Drejtuesi Sokol Balla tha se nga kontakte konfidenciale si me drejtues të opozitës ashtu dhe me të mazhorancës emëruesi i përbashkët është qëndrimi se BE është treguar e ashpër me ne këtë radhë. A rrezikon me të vërtetë Shqipëria që të kapet nga e njëjta sindromë që ka kapur Maqedoninë apo Turqinë?
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e hodhi poshtë këtë duke deklaruar se Shqipëria është një tjetër rast. “Ne nuk jemi i njëjti shembull. Nuk kemi atë histori politike apo të njëjtin mesazh të dhënë dhe nuk ndajmë të njëjtat kërkesa që ka kërkuar Europa ndaj nesh dhe vendeve të tjera të rajonit. Për mua pavarësisht vendimit të shtyrjes, unë e marr si inkurajim fjalën e Brukselit për progresin e bërë në këto 3 muaj dhe ne do të vazhdojmë punën me punën tonë jo vetëm në këto 6 muaj, por në vite. Qeveria është e angazhuar për të zbatuar reformat dhe ligjet. Duam që në këtë shtet të sundojë ligji dhe ristrukturim i thellë i ekonomisë për një mirëqënie dhe zhvillim të vendit”, tha ministrja Gjosha.
Për deputeten demokrate, ligjshmëria sigurisht që është e rëndësishme, por ajo këmbënguli se në 3 muaj mazhoranca e re ka treguar që pjesën më të madhe të vendimeve janë në cakun e ligjshmërisë, vendime anti-kushtetuese dhe vendime që po kthehen nga Gjykata Kushtetuese. “Në këtë periudhë kohore, a kemi patur rritje të pavarësisë së institucioneve të pavarura? A po lejon parlamenti që këto institucione të kryejnë punën e tyre më së miri në një kohë kur shohim një sulm frontal kundër institucioneve të pavarura. Të gjithë këto paralajmërojnë shkarkime në të ardhmen”, tha Tabaku duke akuzuar më pas qeverinë për mungesë transparence. “Unë jam deputete dhe e kam të vështirë që të njihem me vendimet e qeverisë, imagjino një qytetar të thjeshtë”, tha Tabaku. Të gjitha këto, sipas Tabakut, që nga mungesa e transparencës së vendimeve, shkelja e ligjeve dhe Kushtetutës dhe arbitrariteti i mazhorancës shprehin një mision tjetër, të ndryshëm nga ai i integrimit në BE.
Lidhur me rolin e opozitës në lobimin dhe në proceset integruese, deputetja e Partisë Demokratike u shpreh qartë se PD i mbetet qëndrimit të saj për integrimin e vendit dhe do të luajë rolin e vet, jo vetëm me një rezolutë, por edhe nëpërmjet lobimit dhe gjithë mënyrave të tjera që ka opozita në dorë.
“E rëndësishme është që nuk do të ketë më politika bllokuese, nuk do të ketë më megafonë dhe bilbila në parlament. Është e vërtetë që mazhoranca ka votat për të marrë shumë vendime pa ne, por integrimi europian kërkon gjithëpërfshirjen, jo për hir të votave por për hir të procesit”, tha Tabaku.
Për ish-ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, kjo qeveri vendosi standardin e pabesueshmërisë me ndërkombëtarët duke përcjellë mesazhe kontradiktore për cështjen e integrimit.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se nuk mund të krahasohet Shqipëria me rrethanat e Maqedonisë dhe Turqisë. “Ambicia jonë ka qenë dhe është që Shqipëria të ndjekë shembullin e Kroacisë duke u kthyer në një model frymëzimi jo thjesht për shqiptarët që jetojnë në rajon, por edhe për vende të tjera të rajonit. Cfarë ka ndodhur deri në këto 3 muaj ato janë të qarta në konkluzionet e Këshillit të Ministrave”, tha ministri Bushati.
Top Channel