Deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese ranë dakord të korrigjojnë shifrat në buxhetin e vitit 2014 sa i takon sistemit të ujitjes dhe kullimit.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkoi mbështetjen e tyre për të rritur shumën që do të përdoret për ujitje dhe kullimin që përbën shkakun kryesor të përmbytjeve në stinën e dimrit.

“Kërkesës tonë për një mbështetje në masën 1 miliard lekë Ministria e Financave iu përgjigj me një fond që shkonte në 200 milion lekë. Më pas kjo u zbrit në gjysmën e kësaj shumë dhe sot ndodhemi në fondin prej 100 milion lekëve. Të paktën ta linim në atë masë financimi prej 200 milionësh”, tha ministri Panariti.

Gjatë diskutimit të buxhetit për bujqësinë që në total kap shifrën e 7.8 mld lekëve ose 0.5 % e GDP-së, u debatua mbi subvencionin e naftës në bujqësi. Sipas opozitës ky është një nga problemet më të mëdha me të cilat do të përballen fermerët, cka do të reflektohet në rënie të sektorit.

Edmond Panariti, Ministër i Bujqësisë: Kemi diskutuar mundësinë e përdorimit të naftës së ‘Albpetrol’ për bujqësinë. Është një naftë D2 që i përshtatet nevojave të bujqësisë. Nuk është vetëm lehtësimi i shpërndarjes së një nafte me cmim të ulët, por edhe menaxhimi me eficencë i skemës së shpërndarjes që të mos kemi abuzivizëm. Kemi mendimin që të përfshijmë postat shqiptare që të shpërndajnë ato tallonat me këto lloj nafte.

Genc Rruli, deputet i PD: Është nafta që mbledh ‘Albpetrol’ në emër të shtetit nga kompani të tjera nxjerrëse të naftës. Ajo nuk bën. Ajo është skemë ekstrabuxhetore, ajo mund të diskutohet në terma teknikë në ambiente të tjera, por ne kemi këtu buxhetin përpara dhe buxheti se ka parashikuar atë. Pra sot, buxheti nuk ka parashikuar subvencion për naftën. Madje kemi një rritje të cmimit të naftës. Ne duhet të kërkojmë që të jetë i parashikuar në një masë të konsiderueshme mbulimi i akcizës së naftës përndryshe sivjet ne kemi rrezik të kemi rënie në rritjen e prodhimit bujqësor dhe kjo është shumë kritike për vitin që parashikojmë.

Top Channel