5 shefat e policisë, që mbikqyrën valën e bujshme të arrestimeve të profilit të lartë për ryshfet, janë pezulluar nga detyra në Stamboll, ndërsa 18 drejtues të forcave të rendit janë pushuar në Ankara.
Mes 52 personave të ndaluar të martën, tre ishin djem ministrash të kabinetit turk.
Zëvendës/kryeministri Bülent Arinç la të kuptohet se hetimi synonte “njollosjen e reputacionit” të tij. Por, u tregua i kujdesshëm të mos fajësonte zyrtarisht asnjë grup të veçantë, edhe pse arrestimet janë parë në media si pasojë e armiqësisë mes ekzekutivit të Erdogan-it dhe ish-aleatit të tij tepër influencues, predikuesit islamik Fethullah Gülen.
Një dekadë më parë, Reccep Tayyip Erdogan e ndryshoi fytyrën e politikës turke me farkëtimin e një aleance jozyrtare liderësh të biznesit, përfaqësuesish të klasës punëtore dhe besimtarësh.
Në radhët e saj ishte dhe lëvizja e mirëorganizuar islamike e Gülen-it, që ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara prej 14 vjetësh. Kjo bazë e gjerë mbështetjeje i siguroi Erdogan-it fitoren në tre palë zgjedhje të përgjithshme dhe e lejoi t’i mbijetonte dy javë protestash popullore, por jo mirë të organizuara në muajin qershor.
Megjithatë, javët e fundit, kryeministri është armiqësuar me elementin e aleancës së tij, duke marrë në këmbim përndjekjen e njerëzve të tij nën akuzat e korrupsionit, nga drejtues të lartë të policisë e krerë të gjyqësorit, që janë mbështetës të Gülen-it.
Kjo luftë e brendshme mund të përbëjë një kërcënim jo të vogël për ambicien e padeklaruar të Erdogan-it: kandidimin në Presidencialet e 2014-s.
Rruga që ai ka zgjedhur, megjithatë, është ajo e kundërpërgjigjes me moton: sy për sy, dhëmbë për dhëmbë. “Turqia nuk është republikë bananesh, apo shtet tribal i kategorisë së tretë, – deklaroi kryeministri. – Askush brenda apo jashtë kufijve nuk e zë dot në kurth vendin tim”.
Pesë krerët e pezulluar policorë përfshijnë shefin e krimit financiar e atë të njësisë së krimit të organizuar, të përfshirë në arrestimet e së martës, e po kështu, pushim nga puna kanë marrë edhe drejtuesi i njësisë së anti-kontrabandës, ai i anti-terrorit, dhe i fundit, shefi i degës së sigurisë publike.
Top Channel