Diskutimi i buxhetit 2014

18/12/2013 00:00

Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, drejtoresha për buxhetin në
Ministrinë e Financave tha se në buxhet është përfshirë dhe një pjesë e
detyrimeve që shteti u ka kompanive që kanë kryer punë publike dhe për
të cilat nuk janë likuiduar.

“Deloitte, qe u pajtua nga Qeveria përgatiti një raport dhe vërtetoi detyrimet ndaj infrastrukturës, të cilat rezultonin 24.6 miliardë. Në këtë buxhet jane perfshire 12 miliardë, pra rreth gjysma. Gjithashtu në këtë buxhet është përfshirë një shumë prej rreth 20 miliardë për t’i paguar detyrime te prapambetura biznesit, për rimbursim TVSH-je dhe të Tatim Fitimit, si dhe një shumë tjetër prej 3 miliardë lekësh janë detyrime të tjera faturash korente. Pra rreth 35 miliardë leke janë futur në këtë buxhet, qe do te financohen direkt nga institucionet financiare nderkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar”, tha Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e buxhetit.

“Borxhin qe e keni patur kalë beteje, sidomos borxhin ndaj biznesit, që në fund të fundit, pavarësisht se e çuat nganjëherë deri në 800 milionë euro dhe nganjëherë deri në 1 miliardë euro, edhe nga Deloitte që zgjodhët për këtë punë, që në fakt nuk ishte e nevojshme, 390 milionë ju dolën. Ju hyni në gjithë këtë borxh që kushton me interesat bankare në tregun ndërkombëtar, për të larë një borxh që ishte pa interesa këtu brenda vendit”, tha deputeti demokrat Genc Ruli.

Duke u ndalur tek paketa fiskale me fokus TVSH-në për ushqimet bazë, zëvendësministri i Financave Ervin Mete tha se kategoritë që përfitojnë janë ata që paguhen me ndihme sociale. Por, sipas opozitës, familjet në nevojë në vend janë katër herë më shumë se kjo kategori.

“Lidhur me mallrat e shportës, është parashikuar një shtesë në ndihmën që marrin familjet me ndihma ekonomike. Do të ketë një shtesë fikse, në atë masën e ndihmës që ata marrin dhe do të administrohet sigurisht nga ministria e linjës”, tha Mete.

“Eshtë premtuar që do të hiqet TVSH-ja për 5 produktet bazë. Do të bëhet zero nëpërmjet rimbursimit, apo do të mbulohet gjysma e saj, apo do të mbulohet vetëm 20 për qind e saj? Kategoria e shqiptarëve që përftojnë nga lehtësimi i TVSH-së për produktet bazë, si energjia elektrike, qumësht, vezë, miell etj, është vetëm për një kategori të shqiptarëve, vetëm për ata që janë në listat e asistencës sociale. Shqiptarë të varfër me të ardhura të pakta janë 4 herë më shumë jashtë kësaj liste”, tha Ruli.
 
Taksat për biznesin

Opozita ka akuzuar Qeverinë në Kuvend për demagogji me taksat e biznesit të vogël. Ridvan Bode tha se përkundër trumbetimit për uljen e taksave, Qeveria po e rëndon barrën për këtë kategori.

“Ky 75 mijëshi i mjerë që fitojnë 75 mijë lekë nga ulja e taksës me 25 për qind, nga 10 për qind, në 7.5 për qind, këtij do t’i paguajë neto shumë më tepër. Duhet të paguajë 200 mijë lekë më shumë për taksën e banesës dhe rreth 150 mijë lekë më shumë për karburantin që ka marrë”, tha Bode.

“Për një dyqan me 100 metra, që është më i madhi i të vegjelve, shkon 20 mijë lekë. Kush paguan? Këtu paguajnë supermarketet. Ky është shqetësimi, në emër të të cilit u fol. Këtu sikleti është për biznesi është për biznese të mëdha, në emër të të cilave flitet. Këtu biznesi i madh është ai që mund të rëndohet nga taksa e ndërtesës, ai që shfrytëzon sipërfaqe shumë të mëdha”, tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Ligji i ri për taksat vendore ul tatimin mbi fitimin për biznesin e vogël nga 10 në 7.5 për qind, por ai dyfishon taksën mbi ndërtesat tregtare, përfshirë dhe ato që përdoren nga kjo kategori biznesi, nga 200 në 400 lekë për metër katrorë.

“Efekti i zbatimit të taksave lokale, sidomos për pjesën që i ka në të ardhurat e qeverisjes vendore pa taksën e ndërtimit, vlerësohet që të jetë një efekt negativ për rreth 2 miliardë lekë, pra ata do të paguajnë në buxhetet lokale 2 miliardë lekë më pak”, tha deputeti socialist Anastas Angjeli.

“Ne po japim një propozim që të paktën tek biznesi i vogël hiqeni te jeni të larë dhe të thoni jo, ne realisht ia ulëm. Nëse do të bëjmë përllogaritë e numrave do të shihni që biznesi i vogël, flas për atë fashë 20 deri 40 paguajnë pak më tepër, pra nuk i kemi ulur asnjë lek”, tha deputeti demokrat Igli Cara.

Një tjetër pikë e ligjit është ajo që rrit taksën mbi shtëpitë e ndërtuara para vitit 1993 nga 15 në 30 lekë për metër katrorë.  

Top Channel