FMN rikthehet në Shqipëri

17/12/2013 00:00

5 vjet pas largimit, qeveria socialiste ka rikthyer sërish Fondin Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri.

Palët njoftuan arritjen e marrëveshjes, e cila i jep FMN-së një rol më të fortë në mbikqyrjen e ekonomisë dhe financave publike, përkundrejt një kredie prej 300 milionë euro.

“Ne kemi arritur sot një marrëveshje, sipas së cilës FMN do të mbështesë programin ekonomik të qeverisë me asistencë financiare rreth 300 milionë euro, që do të lëvrohet për një periudhë 3-vjeçare. Marrëveshja përcakton një program, që do të ofrojë një mbështetje të fuqishme për ekonominë dhe e vendos atë në rrugën e ringritjes, për një periudhë 3 deri në 5-vjeçare”, tha Nadeem Ilahi, shef i misionit të FMN për Shqipërinë.

Ministri i Financave nënvizoi se marrëveshja nuk është e ngurtë, por i lejon qeverisë që të përdorë buxhetin për të ndihmuar ekonominë, nëse kjo është e nevojshme.

“Politika fiskale në vitin 2014, por dhe në vitet në vazhdim, do të jetë elastike: do të lehtësohet nëse ekonomia nuk shkon mirë, por do të shtrëngohet në rast se do të na krijohen burime, e në këtë mënyrë do të mund të shlyhen më shumë borxhe”, tha ministri Shkëlqim Cani.

Guvernatori i Bankës Qendrore e quajti arritjen e kësaj marrëveshje, si një zgjidhje optimale për Shqipërinë.

“Si e tillë, ajo forcon besimin e investitorëve të brendshëm e të huaj në ekonominë shqiptare dhe ka efekte pozitive në investime dhe në konsum. Së dyti, marrëveshja i hap rrugë një korrektimi më të butë fiskal dhe kjo është më e rëndësishme se ai, të cilin mund të ishim të detyruar të bënim, në mungesë të kësaj marrëveshje”, tha kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Kredia prej 300 milionë euro do të përdoret për të shlyer borxhet e prapambetura ndaj biznesit. Përkundrejt kësaj mbështetje, qeveria është angazhuar të ndërmarrë disa reforma kritike.

“Reforma e pensioneve sot është domosdoshmëri, për shkak të problemit serioz që ka ky instrument dhe ky sektor. Ashtu siç është sot, është thjesht një ndihmë ekonomike dhe nëse do ta lëmë kështu, pas 10 vitesh, jo vetëm që do të kemi një falimentim, por do të kemi edhe një ngarkesë tejet të madhe sociale dhe financiare”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Që pas vitit 2008, FMN ka pasur rol këshillues mbi qeverinë shqiptare, pasi në atë vit demokratët nuk pranuan të shtynin marrëveshjen e ngushtë të bashkëpunimit, edhe pse nga Fondi pati sinjale të forta për këtë.

***

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ishte i pranishëm pasditen e së
martës në një konferencë të përbashkët shtypi të qeverisë me Fondin
Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Duke bërë një ekspoze të gjendjes ekonomike e fiskale në vend, Cani deklaroi se “rritja ekonomike për vitin 2013 është diku tek 1,3%. Vitin e ardhshëm parashikohet të shkojë në 2%, që është përsëri shumë larg dëshirave tona”.

Sipas ministrit, “përmirësimi i klimës së biznesit do të jetë bazë për rritjen ekonomike. Në një periudhë afatmesme, e rëndësishme do të mos krijojmë detyrime të tjera shtesë. Qeveria është e zotuar që të shlyejë një pjesë të faturave të papaguara ndaj biznesit, gjithsej 35 miliardë lekë fatura totale (350 milionë dollarë). Së bashku me FMN-në, jemi duke u përpjekur të hartojmë një politikë të rritjes ekonomike, njëkohësisht që punohet për uljen e borxhit kombëtar”.

Ka disa mënyra se si mund të përmirësohen financat e shtetit, por zoti Cani bëri të qartë atë që është mënyra e tij e preferuar. “Rritja e bazës së tatueshme është e vetmja zgjidhje, pasi zgjidhja e dytë është shumë e dhimbshme dhe mbase e pamundur, ajo e shkurtimeve”.

Në këtë kuadër, ministri i Financave foli për një sërë masash, duke nisur nga “masa për rritjen e pagesës së taksave dhe uljes së korrupsionit. Administrimi i doganave nga “Crown Agent” rrit efikasitetin dhe ul korrupsionin. Do të kryejmë kontrolle më të shpeshta për të ulur mundësinë e abuzimit me pagesat e TVSH-së, ndërsa FMN do të ndihmojë me futjen e një sistemi të ri në tatime”.

Në marrjen e fjalës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani parashtroi disa nga sfidat më të mëdha që përballet ekonomia e vendit tonë, ndërsa vërtetoi se bisedimet me FMN kanë qenë të suksesshme.

“Marrëveshja me FMN ofron garanci financiare me kosto të ulët për vendit. Në këtë mënyrë ajo forcon besimin e investitorëve të brendshëm e të huaj, duke pasur efekte pozitive në rritjen e besimit. Mbështetja financiare e FMN dhe BB sjell reduktim të huamarrjes në tregun e brendshëm dhe njëkohësisht, shmang tkurrjen dhe interesat e larta me të cilat Shqipëria do të përballej në tregjet e tjera financiare”, komentoi Fullani.

Guvernatori gjithashtu shtoi se “sistemi bankar shqiptar është i shëndetshëm dhe i aftë që të përballojë goditje. Banka e Shqipërisë është e angazuar që në kuadrin e rekomandimeve të përmirësojë infrastrukturën mbikqyrëse për t’i siguruar ekonomisë një sistem bankar sa më të shëndetshëm dhe fitimprurës”.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmoi arritjen e një marrëveshje me qeverinë shqiptare.

“Kemi arritur një marrëveshje mbi një program 3-vjeçar. Asistenca jonë do të ndihmojë që të përcaktohet se ku do të përqendrohen reformat e ardhshme për zhvillimin ekonomik. Asistenca do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike. Në fokus do të jetë rritja ekonomike, krahas uljes së borxhit”.

Ahmetaj: Duhet të ndryshojmë modelin energjitik

Gjatë konferencës të përbashkët për shtyp të autoriteteve shqiptare me FMN dhe BB, fjalën e mori edhe ministri i Energjitikës, Arben Ahmetaj foli edhe për domosdoshmërinë e ndryshimit të modelit energjitik në vend.

“Duhet të ndryshojmë modelin dhe të fokusohemi në uljen e mospagesave”, deklaroi Ahmetaj, i cili duhet të administrojë një prej sektorëve më problematikë dhe me më shumë borxhe të mbartura të ekonomisë shqiptare.

Megjithatë, ministri vlerësoi se ““Crown Agent” do të jetë efektiv në funksionimin e plotë të doganave”.

Sipas tij, “investimet e huaja nuk po pengohen nga shkalla e lartë e tatimeve, por nga shkalla e lartë e korrupsionit dhe burokracive”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA