Falimenton Askoli

17/12/2013 00:00

Kriza financiare që ka goditur Italinë, s’mund të linte pa prekur futbollin. Përvec situatës aspak të mirë të klubeve elitë të futbollit italian, në kategoritë inferiore bëhet luftë për mbijetesë.

Në këtë luftë, viktima e radhës është skuadra e Askolit. Një gjykatë e këtij qyteti deklaroi falimentimin e klubit duke zeruar 115 vjet histori të bardhezinjve, që prej vitesh lundronin në ujëra të turbullta financiare.

Borxhet e shumta, pagat e prapambetura prej muajsh ndaj futbollistëve dhe pamundësia për shlyrjen e tyre detyruan drejtuesit të kërkojnë falimentin e shoqërisë, kërkesë kjo që u miratua nga gjykata.

Sezonin e fundit në Lega Pro, ku kishte rënë, lojtarët luajtën të gjitha ndeshjet me këpucë të kuqe për të kujtuar presidentin Costantino Rozzi, nën drejtimin e të cilit ka patur sukseset më të mëdha. Megjithëse nga një qytet i vogël, me vetëm 50 mijë banorë, Askoli ka mundur të rënditet e 5 dhe e 6 në Serinë A, përkatësisht në sezonet 1979-1980 dhe 1981-1982.

Top Channel