Statusi i nëpunësit dhe procedurializmi malinj i berishistëve

16/12/2013 00:00

Andrea Stefani – Gjykata Kushtetuese sapo ka rrëzuar aktin normativ të
qeverisë Rama, që shtynte hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil,
miratuar me konsensusin e në maj të këtij viti.

Dhe bashkë me argumentimin zyrtar nga Kushtetuesja të këtij vendimi, pritet të shpërthejë edhe një debat i nxehtë politik lidhur me respektimin apo dhunimin nga palët të procedurave që dikton ligji. A mundet që një qeveri të ndryshojë një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar me anë të një akti normativ? Ky do të jetë thelbi i debatit që do të nxitet edhe nga argumentet që do të ofrojë Kushtetuesja për vendimin e saj. Por, ndërkaq, nuk mund të mos konstatosh se fokusimi te procedura nuk mund të mos lërë në hije atë çka është edhe më e rëndësishme, realitetin e gjërave dhe ndikimin e vendimeve ligjore mbi këtë realitet. Një mangësi që ne e etiketojmë “proceduralizëm” dhe që, jo rrallë, ka bërë të mundur që ligji apo vendimet gjyqësore, të manipulohen në favor të pa drejtësisë dhe epsheve të lidershipeve politike.

***

Ligji i mirë është ai që i vë kufij arrogancës së qeveritarëve dhe politikanëve, prirjes së tyre për të bërë çfarë t’u teket. Dhe është pikërisht zgjerimi i rrjetit të ligjeve që rregullojnë e kontrollojnë gjithnjë e më shumë aspekte të punës së politikanëve, që i ka detyruar këta të fundit, që arrogancën dhe gjakimet e tyre të orvaten t’i realizojnë ose duke i formësuar ligjet në përputhje me këto gjakime, ose duke zhvilluar një proceduralizëm të shqarthët që, ndërsa respekton procedurën dhe germat e ligjit dhunon, në fakt, frymën e tij. Mendojmë se ky është rasti edhe me ligjin për statusin e nëpunësit civil.

***

Opozita e majtë pranoi të japë konsensusin për “3 ligjet”, ndër të cilat edhe atë për nëpunësin civil, edhe pse vetëdijshme për të metat e tij. Pranoi e ndodhur nën një presion të madh të qeverisë Berisha, që e akuzonte se “po bllokonte statusin”, por edhe të disa ndërkombëtarëve. Ndërkaq, ishte e qartë se hyrja në fuqi e ligjit për nëpunësin do të betononte gjithë masakrën e bërë në administratë nga qeveria gjatë 8 viteve. Do të betononte padrejtësinë e faktuar të largimit të mijëra vetëve nga puna, vetëm sepse nuk ishin militantë apo simpatizantë të PD-së, do të rrënjoste në administratën publike gjithë partizanizmin dhe paaftësinë që e bashkëshoqëron punësimin e militantëve të partisë në pushtet. Berisha i kish bërë dinakërisht llogaritë dhe po tentonte që padrejtësitë në administratë t’i përforconte me ligj. Miratimi i një ligji qoftë edhe të mirë, por për një qëllim të keq, është një nga momentet e “proceduralizmit malinj” për të cilin po flasim. Një proceduralizëm tipik për berishizmin.

***

Ndërrimi i pushtetit ka nxjerrë përpara shansin e eliminimit të plojës së bërë nga Berisha në administratë dhe rithemelimin e saj mbi baza të aftësisë dhe profesionalizmit. A do ta arrijë dot e majta në qeveri këtë? Gjë që mbetet të shihet. Ndërkaq, hyrja në fuqi e ligjit për nëpunësit që më 1 tetorin e kaluar, edhe për faktin se nuk ishin përgatitur aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e tij, e dënonte qeverinë e re të bashkëjetonte me një administratë jo vetëm të militantizuar nga qeveria e mëparshme, por edhe kuptueshëm pjesë e dështimit të qeverisjes së djathtë. Pikërisht për të shmangur një të keqe të tillë, qeveria nxori një akt administrativ, që u miratua me shumicë edhe në Kuvend, dhe që shtynte me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit, por pa ndryshuar përmbajtjen e tij. Natyrisht, sikundër edhe pritej, Berisha nisi të çirrej për prishjen e konsensusit nga qeveria. Atij i duhej hyrja në fuqi e ligjit më 1 tetor për të konservuar gjithë pisllëqet që kish bërë në administratë. Prandaj nisi të lëshojë edhe çudira të tilla, si konsensusi është më i rëndësishëm se ligji! Në fakt, të respektoje konsensusin (në të vërtetë një pazar, sepse konsensusi është bashkëndjerje), do të thoshte që një ligj të mirë ta vije në funksion të një administrate të politizuar dhe krejt ndryshe në përmbajtje nga ajo që synon vetë ligji.

***

Megjithatë, duke vënë në punë juristët e tij “proceduralistë”, Berisha vendosi t’i kthehej proceduralizmit malinj (të përdorur me aq sukses kur i grabiti postin e kryebashkiakut Edi Ramës), duke çuar çështjen në Kushtetuese. Do ta lëmë mënjanë, si paragjykues për momentin, perceptimin dominues të ndikimit të madh që ruan Berisha në pushtetin gjyqësor me anë të kapjes së tij sa kohë që ishte në pushtet. Kapje që nuk eliminohet automatikisht me rënien nga kolltuku i pushtetit. Do të marrim variantin më të vështirë duke pranuar, për një moment, se akti administrativ i qeverisë bie në kundërshtim me Kushtetutën pra, se një ligj i miratuar me shumicë të cilësuar, nuk mund të ndryshohet me një akt administrativ qeverie. Pra do të pranojmë se në pikëpamje procedurale, qeveria ka gabuar dhe opozita ka të drejtë. Po në pikëpamje të përmbajtjes, ku na shpie triumfi i këtij proceduralizmi? Na shpie në mbrojtjen me ligj të një administrate që nuk është fare ashtu si e kërkon ligji, pra e depolitizuar dhe profesionale. Nuk duhet harruar se të qenët në rregull me ligjin dhe procedurën ka qenë tipike edhe e të gjitha regjimeve tiranike, edhe kur kryenin krime të përbindshme. Ashtu ishte ligji! – është një nga justifikimet e të gjitha krimeve të diktaturave. Prandaj, ndonëse shumë e rëndësishme të respektohet, procedura nuk duhet të mbivlerësohet. Aq më tepër në kurriz të përmbajtjes.

***

Po si i bëhet në rastin që analizojmë? Ka vetëm një mënyrë për të respektuar edhe procedurën edhe të drejtën, edhe frymën edhe germën, edhe përmbajtjen edhe formën e ligjit të nëpunësit civil. Dhe për këtë duhet që mazhoranca, e cila i ka votat e nevojshme, ta miratojë me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit amendimin për shtyrjen e afatit të hyrjes në fuqi të ligjit. Një afat që do t’i jepte kohë dhe mjetet qeverisë për t’u investuar për një administratë profesionale të shtetit dhe jo të pushtetit. Një zgjidhje procedurale që do t’i hiqte Berishës edhe pretekstin (ai mezi po e pret, madje po përpiqet ta krijojë një pretekst të tillë) për t’u ngritur në protesta kundër qeverisë dhe për të rrëzuar Edi Ramën që “nuk përfilli vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që është garanti i Kushtetutës”. Dhe këtu do të mbaronte edhe kjo odise, që nisi me një “konsensus” të dhënë nën presion dhe pa shumë dëshirë nga opozita e djeshme. Në fakt, një pazar i imponuar nga Berisha duke përdorur si shantazh “integrimin”. Dhe si përherë, edhe në këtë rast, u provua të jetë e vërtetë thënia e Preç Zogajt: Prapaskenat e pazareve me Berishën janë fatale për ata që i bëjnë! Fatmirësisht, këtë herë, jo aq fatale sa në raste të tjera. Të paktën deri tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA