Shorti i Champions League u tregoi rrugën 16 skuadrave të mbetura drejt finales së ëndërruar të Lisbonës.
Ky short prodhoi dy supersfida, ato midis Barcelonës-Manchester City dhe Bajern-Arsenal dhe shumë ndeshje të tjera të gjitha për t’u shijuar.
Këto ishin deklaratat e trajnerëve, futbollisteve apo përgjegjësve të klubeve mbi rivalët që goglat i vendosën përballë.
Schalke 04-Real Madrid
Kevin-Prince Boateng, futbollist i Schalke: “Do të jenë dy ndeshje shumë emocionuese. Do të përpiqemi të bëjmë më të mirën, ndaj një prej skuadrave, që pa dyshim është prej më të mëdhave në botë”.
Carlo Anceloti, trajner i Real Madrid: “Në këtë fazë të Champions nuk është asnjëherë e lehtë dhe duhet të jemi shumë të përqendruar. Schalke është një skuadër me përvojë. Nuk di të them në patëm fat apo jo. Ajo që më intereson është që kur të vijë momenti të jemi të gatshëm për të bërë maksimumin”.
Manchester City-Barcelona
Manuel Pellegrini, trajner i Manchester City: “Besoj se Barça do të jetë e shqetësuar për shortin e saj. Nuk janë më skuadra e dy viteve më parë. A ishte një short i mirë? Në Champions nuk ka skuadra të lehta dhe nëse dëshiron të fitosh duhet të mposhtësh skuadrat më të mira”.
Tata Martino, trajner i Barcelonës: “City nuk ishte skuadra e preferuar përpara shortit, por jam i sigurt që edhe për ta nuk ishte Barcelona e preferuara. Deri në Shkurt forma e të dy ekipeve mund të ndryshojë shumë, ndaj mbetet ende larg si sfidë për të bërë parashikime. Është herët për të bërë një analizë të plotë, por mbetet e qartë për të gjithë se do të luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë dhe me futbollistë shumë të mirë”.
Milan-Atletico Madrid
Adriano Galliani, drejtor i përgjithshëm i Milanit: “Mbeten ende dhe dy muaj të tjerë dhe nuk mund të dimë se në çfarë formë do të jenë ekipet deri atëherë. Shortet pranohen, nuk komentohen. Unë pashë dje një ndeshje të Atleticos, skuadër që është e para në Spanjë me pikë të barabarta me Barcelonën dhe përpara Realit të Madridit. Po bëjnë një punë të shkëlqyer deri më sot”.
Enrique Cerezo, president i Atletico Madrid: “Një skuadër duhet të na binte, por na ra një që e ka fituar shtatë herën kupën, jo një skuadër e çfarëdoshme. Milani është një ekip i fortë. Të gjitha ndeshjet me eliminim direkt janë të vështira, pasi nëse ke një mbrëmje të keqe je i eliminuar. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.
Galatasaray-Chelsea
Didier Drogba, futbollist i Galatasaray: “Çfarë shorti! Jam një njeri me shumë fat. Me më shumë fat se të gjithë, pasi ndeshjet e 1/8-tave unë do t’i luaj të dyja në shtëpi”.
Jose Mourinho, trajner i Chelsea: “Galatasaray është një skuadër me të vërtetë e fortë dhe do të jetë shumë e vështirë. Jam i lumtur për Drogba, rikthimi i tij këtu do të jetë me të vërtetë spektakolar”.
Arsenal-Bayern Munich
Arsene Wenger, trajner i Arsenal: “Fitorja ndaj Bajernit në sezonin e shkuar (në çerekfinalet e vjetshme, Bayern-Arsenal 0-2, 3-1), pavarësisht eliminimit na dha shumë besim. Kjo ndeshje do të përbëjë një test të madh për nivelin tonë”.
Karl-Heinz Rummenige, drejtor i përgjithshëm i Bayern: “Luajmë ndaj skuadrës më të fortë që mund të na vendoste përballë shorti. Arsenali do të jetë shumë i motivuar pasi një vit më parë i eliminuam duke vuajtur shumë në të dy ndeshjet. Do të jetë një sfidë shumë e vështirë”.
Zenit St. Pjetërburg-Borussia Dortmund
Jurgen Klopp, trajner i Borussia Dortmund – “Nuk kam qenë kurrë më parë në Rusi. Do të përpiqemi të përgatisim ndeshjen në mënyrë më të mirë të mundshme, duke mbajtur një intensitet sa më të lartë. Çdo skuadër në gjendje për të kaluar fazën e grupeve ka cilësi të padiskutueshme”.
Bayer Leverkusen-Paris Saint Germain
Laurent Blanc, trajner i Paris SG: “Jemi të përgatitur për Leverkusenin. Kishim studiuar më parë të gjithë skuadrat që mund të na vendoste përballë shorti. Shorti mund të ishte më i vështirë, por i respektojmë shumë kundërshtarët, ashtu si edhe të gjithë skuadrat e tjera të mbetura ende në lojë”.
Top Channel