Përmes një deklarate për shtyp, Dhoma Amerikane e Tregtisë vlerëson shprehjen e angazhimit të qeverisë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
Por, ajo thotë se ndihet mjaft e zhgënjyer nga lajmi se një paketë fiskale është duke u publikuar, ndërkohë që ka pak informacion zyrtar nga qeveria, duke mos lejuar Dhomën Amerikane dhe partnerët e tjerë të sektorit privat, që të japin një opinion zyrtar mbi paketën e re fiskale.
“Ndihet një shqetësim në rritje nga anëtarët e Dhomës, prej mungesës së informacionit ose ekzistencës së informacionit konfliktual, dhe impaktin që kjo paketë fiskale mund të ketë për bizneset shqiptare dhe vendimet e tyre të ardhshme për investim”, thuhet në deklaratën e Dhomes Amerikane të Tregtisë dhe, sipas saj, ky shqetësim amplifikohet me afrimin e fundit të vitit dhe mbylljen e vitit fiskal.
Bazuar në dialogun e deritanishëm me qeverinë, Dhoma Amerikane mendon se është e nevojshme një transparencë më e madhe në diskutimet mbi paketën fiskale, për të sqaruar dhe për të siguruar komunitetin e biznesit dhe investitorët e huaj.
Sipas saj, politika e re fiskale duhet të nxisë investimet e huaja direkte dhe investimet lokale. Ndryshimi i menjëhershëm i sistemit fiskal, në mungesë të një debati publik efikas, mund të çojë në rritjen e evazionit fiskal.
Dhoma Amerikane e Tregtisë mendon se, ajo që pritet është marrja e masave konkrete, që do të ndikojnë në një ulje të ndjeshme të nivelit të evazionit fiskal dhe për të treguar qartë, se Shqipëria është një vend ku të gjithë paguajnë taksa, sipas ligjeve në fuqi.
Për këtë arsye, qeveria shqiptare nuk duhet të aplikojë paketën fiskale më datë 1 janar 2014, por duhet të lejojë më shumë kohë për konsultim dhe zbatimin e saj. Për shkak të mungesës së zbatimit të ligjeve tatimore, do të duhet më shumë kohë për të diskutuar dhe zbatuar, siç duhet, çdo legjislacion të ri tatimor.
Top Channel