Kufizimet e energjisë elektrike

13/12/2013 00:00

Drejtuesit e Kompanisë CEZ Shpërndarje thonë se energjia elektrike në
vend është e garantuar. Por shkak për kufizimet energjetike, që janë
bërë të ndjeshme ditet e fundit është rritja e ngarkesës, abuzimi i
konsumatorëve dhe dëmtimi i aseteve të kompanisë.

“Një nga shkaqet kryesore është rritja e ngarkesës nga konsumatorët tanë, sidomos në harkun kohor 18:00-22:00, si dhe rritja e abuzimit me energjinë elektrike të konsumatorëve tanë, në bashkëpunim me punonjësit tanë. Një nga shkaqet e rritjes së këtyre defekteve janë gjithashtu edhe vjedhjet e kabinave, vjedhjet e linjave të transmetimit. Ne po vazhdojmë denoncimet në polici dhe për këto raste jemi duke ngritur çështje penale”, thotë Ari Luarasi, drejtor i Departamentit Inxhinierik.

Nisur nga situata e krijuar, kompania thotë se po kryen një fushatë për eleminimin e defekteve dhe ndëshkimin e abuzuesve.

“Ne kemi evidentuar rreth 100 raste abuzimi, nga të cilat ne po përpilojmë dosjet, të cilat do të shkojnë në prokurori. Në këto 100 raste do të jenë 100 abonentë që do të bëhet dosja penale për Prokurori dhe në bashkëpunim me ta, me punonjësit tanë ne po bëjmë dosjet për 10 punonjësit tanë, të cilët kanë bashkëpunuar në këto abuzime”, tha Luarasi.

Sipas CEZ, dëmtimet e linjave elektrike vijnë edhe si pasojë e punimeve në kantiere e ura që po kryhen nga kompani të ndryshme.

Top Channel