
Pas kualifikimit të vuajtur të Milanit për në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve, Riccardo Montolivo sqaron kartonin e kuq që mori në minutën e 22 dhe që mund t’i kushtonte ekipit të tij eliminimin nga kompeticioni më i rëndësishëm europian.
“Duket qartë që ishte një ndërhyrje e paqëllimshme. Më vjen keq që lashë skuadrën në inferioritet numerik, por shokët u treguan të jashtëzakonshëm”, theksoi kapiteni i kuqezinjve.
“Vuajtëm shumë, por dolën në pah vlerat e ekipit tonë. Tani, rezultatet e mira në Ligën e Kampioneve duhet t’i përsërisim në kampionat”, shtoi Montolivo.
Ndaj Ajaksit, “Djallit” i mjaftoi një barazim pa gola në “San Siro”, por ky rezultat erdhi sidomos për meritë të portierit Abbiati.
Në fund, kapiteni foli edhe për vizitën e presidentit Silvio Berlusconi në Milanello: “Presidenti ynë është unik. Të përcjell motivim dhe të bën të kuptosh çfarë është Milani.”
Top Channel