Komision parlamentar për Tatimet

11/12/2013 00:00

Partia Demokratike i kërkoi Parlamentit të miratojë ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e ndërhyrjes në serverat e sistemit tastimor një muaj më parë.

Opozita e dorëzoi zyrtarisht kërkesën, ku përveç argumenteve ligjorë përse ky komision duhet të ngrihet, ka treguar me detaje edhe veprimet e kryera në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga 12 nëntori deri në 17 nëntor.

Kjo është periudha gjatë të cilës Partia Demokratike, e bazuar në deklaratat ish-drejtorit të IT-së, pretendon se disa persona të identifikuar në kërkesën e depozituar kanë kopjuar në mënyrë të paligjshme të dhëna tatimore të bizneseve nga 34 serverat e tatimeve.

Partia Demokratike thotë se këto të dhëna, sipas ligjit, janë konfidenciale dhe nuk mund të kopjohen as me urdhër të kryeministrit dhe as me urdhër të ministrit të Financave, siç i ka prezantuar personat drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve personat që kanë bërë kopimin.

“Në një akt të papreçedentë, në shkelje të ligjit dhe me bekimin e qeverisë, një grup specialistësh, të udhëhequr nga këshilltari i Ministrit të Financave që është edhe vëllai i Ministrit të Energjetikës, kanë ndërhyrë në serverin qendror të të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve. Puna e zhvilluar gjatë natës dhe në ditë pushimi në errësirë të plotë ngre dyshime të forta se kjo ndërhyrje është bërë për interesa klienteliste të qeverisë”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.

Në kërkesën e dorëzuar në Parlament, opozita ngre si çështje kryesore bllokimin prej disa ditësh të sistemit tatimor për shkak të ndërhyrjeve sipas saj të paligjshme.

“Kjo ndërhyrje ka sjellë mosfunksionimin e sistemit elektronik tatimor për më shumë se dy javë, janë cënuar të dhënat konfidenciale të qytetarëve të mbrojtura me ligj, si dhe i është shkaktuar një dëm i madh biznesit dhe arkës së shtetit. Për të gjitha këto arsye, ne kërkojmë që Parlamenti të ngrihet në përgjegjësinë që i takon dhe të hetojë këtë veprimtari anti-shtet dhe anti-ligj, në mënyrë që shkaktarët të mbajnë përgjegjësi dhe që të tilla fenomene të mos përsëriten më”, vijoi Tabaku.

Çështja është aktualisht nën hetim penl, por Partia Demokratike thotë se hetimi parlamentar ka për qëllim të hetojë zbatimin e ligjit në administrimin e të dhënave tatimore.

Në kërkesën e saj, opozita parlamentare flet për prova konkrete, emaile dhe video, që povojnë sipas saj, ndërhyrjet në sistemin tatimor dhe kopimin antiligjor të të dhënave konfidenciale të bizneseve shqiptare.

Top Channel