“E urrej të shkoj në shtrat natën”, familja Osbourne rrëfen dhimbjen pas vdekjes së Ozzy-t Kafeja është pija e ngrohtë më e famshme në botë. Rreth 90 për qind e popullsisë së botës konsumojnë kafe. Studimet e shumta tregojnë efektet që ka ajo në organizmin tonë. Sipas dietologes Rolina Naço, kohët e fundit është zbuluar se kafeja u bën mirë personave që vuajnë nga disa sëmundje.
“Është një nga pijet që ka vlerat më të mëdha ushqyese dhe mos harrojmë që është një produkt natyral. Midis benefiteve më të mëdha është ai i parandalimit të diabetit të llojit të dytë, fenomen i vërejtur nga shkencëtarët tek personat që kanë një konsum të moderuar të kafesë. Gjithashtu, kafeja shihet si parandaluese edhe e sëmundjeve kronike të moshës së tretë, midis tyre parkinsoni apo alzheimeri”, deklaroi dietologia për “Pasdite” në “TCH”.
Pija e lashtë u vjen në ndihmë edhe personave që në përiudha të caktuara kanë shumë ngarkesë.
“Ka shumë njerëz që e kanë të domosdoshme kafenë për mënyrën e tyre të punës, pasi kafeina stimulon përqendrim më të madh dhe i bën njerëzit më produktivë, në një kohë më të shkurtër. Ka shumë profesione të tjera, si shofer apo që përfshijnë punën në turnin e tretë, në të cilët kafeina luan gjithashtu një rol stimulues”, shtoi dietologia.
Por, si me çdo gjë duhet pasur kujdes për të mos kaluar caqet. “Një person duhet të konsumojë 2-3 kafe mesatarisht, por varet edhe prej metabolizmit, për shkak të aritmive apo sëmundjeve të zemrës që lidhen me konsumin e kafesë. Megjithatë, dua të them se nuk ka asnjë provë shkencore që të lidhë hipertensionin, me konsumin e kafesë”, theksoi zonja Naço.
Nga ana tjeter, kafeja i pakëson lëngjet që kemi në organizëm. Ndaj gjithmonë mos harroni, filxhanin e kafesë ta shoqëroni me një gotë ujë.
Top Channel