Top-Channel përmes burimeve qeveritare ka mundur të mësoje disa detaje për përmbajtjen e aktpadisë dorëzuar nga Ministria e Mbrojtjes në Prokurorinë e Përgjithshme ndaj ish-ministrit Arben Imami.

E gjithë aktpadia është ndërtuar në bazë të një urdhëri të firmosur nga ish-ministri i Mbrojtjes në muajn prill 2013, përmes të cilit miratohet prodhimi i tre spoteve televizive me vlerë rreth 1 miliard lekë.

Burimet thone se auditi Ministrisë së Mbrojtjes ka faktuar përmes një procesi të hollësishëm faktmbledhës se kanë ndodhur një zixhir shkeljesh në tenderin e zhvilluar e më pas se kush kompani do të prodhonte dhe do të shpërndante në media këto reklama.

Në këtë aktpadi thuhet se dy kompanitë që fituan tenderat nuk kishin eksperiencën e nevojshme në këtë fushë, por megjithatë u shpallën fituese.

Me detaje në aktpadi shpjegohen të gjitha shkeljet e katër vartësve të Arben Imanit në këtë aferë të dyshuar si korruptive. Ndërkohë që të njëjtat burime shprehen se janë anashkaluar me urdhër të ministrit proçedurat siç përcakton ligji i prokurimit publik.

Krahas aktpadisë, prokurorisë i është dorëzuar edhe një dosje me 220 faqe dokumenta, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes fatkojnë dëmin ekonomik që i është shkaktuar shtetit.

Sakaq, burime qeveritare pohojnë se me një intensitet të lartë janë duke u audituar edhe katër çështje të dyshuara për afera korruptive ndaj ish-ministrit Imami, të cilat në javët në vijim do t’i dërgohen prokurorisë.

Bëhet fjalë për ato çështje të cilat opozita e djeshme ka denoncuar me forcë në kohën kur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes ishte pikërisht Imami.

Top Channel