
Kryeministri Edi Rama i paraqiti biznesit programin ekonomik dhe paketën e re fiskale, përmes të cilës qeveria synon të rimëkëmbë ekonominë dhe të vërë nën kontroll financat publike të vendit. Zoti Rama tha se drafti është dakortësuar edhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne kemi rënë dakord për një ulje graduale të defiçitit, në mënyrë që të lejojë edhe rritjen e ekonomisë. Kjo është një dakordësi themelore për të cilën ne jemi mëse optimistë, sepse mbi këtë dakordësi bazohet kurajoja për të shkuar më tutje”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se pavarësisht situatës së vështirë, qeveria i ka qëndruar premtimit të saj për të ulur taksat për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
“Qysh në krye të herës ne kemi qenë të qartë se do t’i qëndrojmë deri në fund parimit tonë themelor: kush fiton më pak do paguajë më pak dhe kush fiton më shumë do paguajë më shumë. Për 95 për qind të njerëzve do të ketë ulje taksash”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha gjithashtu se lehtësim do të ketë edhe për biznesin e vogël, i cili do të çlirohet nga taksa vendore dhe do të paguajë një tatim fitimi më të ulët. Ndërsa për kompanitë e mëdha, zoti Rama tha se do të ketë një rritje të lehtë të tatimit mbi fitimin, por që sipas tij nuk do të rëndojë mbi kompanitë pa iu shlyer më parë borxhin.
“Nuk do të marrim borxh të ardhmen për të shtyrë të tashmen. Përkundrazi, duhet të shfrytëzojmë të tashmen për të garantuar të ardhmen. Fëmijët tanë nuk kanë asnjë borxh që ne të kthejmë në borxh të ardhmen e tyre, duke i lënë ata peng për të pasur një të ardhme ndryshe”, nënvizoi Rama.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Ekonomik, bashkë me kreun e qeverisë ishin edhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ata të Bankës Botërore.
Top Channel