
Mundësia e emigrimit nga Kosova mbetet një opsion i dëshiruar nga shumë kosovarë. Përkundër mashtrimeve, rreziqeve që mund t’iu dalin në udhë të gjithë atyre që synojnë shtetet përëndimore, shumë kosovarë vazhdojnë të gjejnë mënyra të ndryshme për të ikur nga Kosova.
Policia e Kosovës së bashku me EULEX-in dhe EUROPOL-in kanë arritur të arrestojnë 5 qytetarë me nënshtetësi kosovare, të cilët janë zënë duke trafikuar emigrantë të paligjshëm. Me këtë rast janë gjetur 40 viktima të trafikimit, të cilët janë shfrytëzuar nga trafikantët dhe si kundërvlerë për shërbimet ose për aktivitetet për kontrabandim, secili ka paguar nga 1.500 deri në 2.000 euro.
“Si rezultat i hetimit prej muajit maj deri më sot, në mëngjes kemi realizuar një operacion në 5 lokacione, në dy rajone të Kosovës, në Prizren dhe Mitrovicës, respektivisht në Skenderaj dhe Rahovec, ku janë kryer 5 bastisje, janë arrestuar 5 persona të dyshuar për organizim dhe kontrabandim të emigrantëve dhe krim të organizuar”, ka sqaruar ka deklaruar Riza Shillova, drejtori i Departamentit për Hetimin e Krimit në Policinë e Kosovës.
Sipas tij, si rezultat i këtij operacioni është arritur që të konfiskohet edhe një sasi provash materiale. “Janë konfiskuar 5 vetura të cilat kanë shërbyer edhe për kryerjen e këtij aktiviteti kriminal, por gjithashtu janë konfiskuar edhe dokumente të ndryshme, pajisje elektronike, kompjuter dhe materiale të tjera të cilat janë të rëndësishme për fazat e mëtejshme të hetimit”, ka shtuar Shillova.
Kontrabandistët kishin shfrytëzuar rrugët tokësore duke i dërguar viktimat përmes Serbisë, fillimisht në Hungari e pastaj edhe në vende të tjera si Austri, Zvicër dhe Gjermani.
“Kjo është një rrugë shumë e njohur për publikun dhe vitin e kaluar janë kapur rreth 7 mijë persona duke e përshkuar këtë rrugë dhe janë identifikuar 891 incidente të kalimit ilegal të kufirit. Ndërsa operacioni i kryer sot ka qenë në bashkëpunim të plotë me EUROPOL-in. Vetëm duke bashkëpunuar ne mund ta luftojmë krimin e organizuar, respektivisht, trafikimin e emigrantëve”, ka sqaruar Alan Edwards, shefi i njësitit të EULEX-it kundër krimit të organizuar.
Fenomeni i migrimit të kosovarëve tashmë është bërë shqetësues. Prej disa muajsh qindra prej tyre janë duke qëndruar në kampe të ndryshme në shtetin Hungarez.
Po kështu, qindra kosovarë të tjerë të cilët kishin arritur të hynin në shtetin francez, tashmë nga kampet ku kishin qëndruar për disa muaj raportohet se janë transferuar në disa qendra sociale, ndërsa shumë prej tyre janë dëbuar për në Kosovë. Asyeja kryesore e emigrimit është vlerësuar vafëria dhe papunësia në vendin e tyre.
Top Channel