Abuzimi 1 mln dollarë me reklamat

10/12/2013 00:00

Për maxhorancën e sotme qeverisëse, kallëzimi në Prokurori i
ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe katër vartësve të tij për
shpërdorim detyre, shpërdorim fondesh dhe shkelje të barazisë në tender,
nuk ka shkaktuar ndonjë habi të madhe.

Në mënyrë konstante, gjatë vitit 2012 dhe 6-mujorin e parë të 2013-ës Arben Imami ishte ministri më i akuzuar nga opozita e atëhershme për afera korruptive në tregtinë e armëve, përdorimin e SHIU-t në përgjimin e opozitës, privatizimin e aseteve të Ushtrisë, problemet me tenderat, përfshi shpërdorimin e fondeve publike për reklama televizive.

Akuza e një dite më parë, dorëzuar në Prokurori nga ministrja aktuale e Mbrojtjes Mimi Kodheli e ka zanafillën, kur deputeti socialist Erjon Braçe në një intervistë për Top Channel, për herë të parë, bëri publik skandalin e përdorimit të plotë 1 milion dollarë për reklamë.

“Te gjithe e kane ne vemendje spotin politik të Ministrise se Mbrojtjes dhe sot shqiptareve dua t’u them se sa ka kushtuar ky spot: 1 miliard lekë te vjetra. Parate kane dale te gjitha nga buxheti i shtetit, nga buxheti i Ministrise se Mbrojtjes, nga buxheti i Qendres Kulturore te Ushtrise në një ditë, me datën 21 maj dhe pastaj jane transferuar ne llogari te tjera”, tha Braçe, në intervistën e tij dhënë në qershor të vitit 2012.

Brace e avancoi më tej akuzën e tij, kur deklaroi se bazuar në dokumentet që ai dispononte tregohet një fakt më i rëndë, ate që gjysma e fondit eshte zhdukur nga transaksionet zyrtare.

“Pyetja shtrohet: Po gjysma tjeter nga ka shkuar? Parate jane paguar te plota, 1 miliard. Çfare po financon gjysma tjeter e ketij 1 miliard lekë? Çfare po financon? Sepse dyshimi i madh eshte qe po financon edhe nje here tjeter veprimtari politike te PD-se ne nje skeme te paster rryshfetesh, brenda perbrenda administrates se shtetit dhe familjes politike dhe mediatike te Sali Berishes”, tha asokohe Braçe.

Ky denoncim i Erjon Braçes u shoqërtua me një tjetër valë denoncimesh prej deputeti Eduart Shalsi, i cili i bëri një skaner të gjitha fondeve të përdorura nga ministrat e Qeverisë Berisha për reklama televizive të cilat shkonin në 13 milionë euro.

“Në vitin 2007 ka shpenzuar Ministria e Mbrojtjes, 235 mijë dollarë, 115 mijë dollarë në vitin 2008, 385 mijë dollarë në vitin 2009, 30 mijë dollarë në vitin 2010, 700 mijë dollarë në vitin 2011 dhe po kaq edhe në 2012”, tha në një prej deklaratave të shtatorit të vitit 2012, Shalsi.

Sipas dokumentëve te bera publike në atë kohë nga deputeti Shalsi dhe te siguruar zyrtarisht me firmen e titullarit, Ministria e Mbrojtjes te gjithe fondin e reklamave nga viti 2007 ia ka kaluar vetem një kompanie. Gjate ketyre viteve jane dhene plot 3 milionë dollare. Vetem nepermjet repartit 606, kompanise që ka prodhuar dhe shpërndarë reklamat i jane faturuar 300 000 dollare. Ne emer te kesaj Ministrie kompania e shperndarjes së reklamave ka kontraktuar televizionin Top Channel me 76 mijë dollarë, ose 2,6 për qind të totalit të këtij fondi.

Për të gjitha denoncimet e deputetëve socialistë, Partia PS atherë në opozitë paraqiti përpara kuyvëndit nismën e ngritjes së një komisioni hetimor për të gjitha aferat korruptive të artikuluara në adresë të Arben Imamit. Kjo nismë e socialistëve u refuzua nga ish-maxhoranca e djathtë.

Top Channel