Për ekspertët e shëndetit publik, shifrat e larta të personave të diagnostikuar me HIV gjatë 10 mujorit të 2013, janë një këmbanë alarmi për Ministrinë e Shëndetësisë e cila duhet të ndërhyjë urgjent me fonde me qëllim parandalimin e rasteve.

Në një seancë dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Shëndetësië, infeksionisti Arjan Harxhi u shpreh se testimi vullnetar është rruga më e mirë e parandalimit, por në QSUT dhe në të gjitha qendrat e këshillimit të HIV ky shërbim nuk ofrohet për shkak se laboratorët nuk kanë bazë materiale.

Edhe ekspertja e shëndetit publik, kryetare e Shoqatës së Pacientëve, Olimbi Hoxhaj ka kërkuar nga deputetë e komisionit ndërhyrje urgjente për sigurimin e medikamenteve antiretroviralë pasi prej vitesh personat me HIV, përfshi dhe fëmijët nuk i marrin ato rregullisht.

Mjeku infeksionist, Arjan Harxhi ka propozuar që të ndryshohet baza ligjore në të cilën medikamentet antiretroviralë me të cilët mjekohen pacientët me HIV të jenë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme.

Drejtuesja e Shoqatës së Pacientëve ka prekur dhe problemin e lindjes së fëmijëve me virusin HIV që e transmetojnë nga nëna, dhe gjatë këtij viti kanë lindur 5 fëmijë, një prej të cilëve ka vdekur.

Shqipëria prej dy vitesh nuk përfiton më nga fondi global shuma e të cilit kapte vlerën e  5 mln dollarëve me anë të të cilave është financuar aktiviteti i më shumë se 18 organizatave jofitimprurëse në vend. Me shkëputjen e këtij burimi financiar, shoqatat aktiviste në fushën e HIV-AIDS kanë kërkuar ndihmën e qeverisë.

Në vendin tonë numërohen rreth 671 raste për vitin 2013 ku 70 përqind e të prekurve janë meshkuj. Ndryshe nga vitet e shkuara gjatë 2013, personat e testuar me HIV vuanin nga ky virus i rëndë prej 10 vitesh duke u diagnostikuar kështu në një stad të zhvilluar të sëmundjes në stadin AIDS.

Top Channel