
Të gjitha familjet që zotërojnë një shtëpi të dytë tashmë do të paguajnë
një taksë dyfish më të madhe. Sipas normës së re të propozuar në
paketën e re fiskale, taksa për shtëpitë e dyta rritet nga 200 lekë për
metër katrorë që është aktualisht në 400 lekë për metër nga një janari i
vitit të ardhshëm.
Kjo do të thotë se për një apartament me sipërfaqe 100 metër katrorë, taksa vjetore që do të paguhet vitin tjetër nga 20 mijë lekë shkon në 40 mijë lekë ose 400 dollarë. Në të njëtën masë do të taksohen edhe ndërtesat e biznesit si magazinat apo edhe fabrikat prodhuese, taksa e të cilave nga 200 lekë për metër katrorë që është aktualisht shkon në 400 lekë.
Për shkak të numrit të madh të ndërtimeve informale, Shqipëria është një nga vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave nga taksat mbi pronën. Në vitin 2013, Qeveria ka parashikuar se do të mbledhë në total nga kjo taksë rreth 2.5 miliardë lekë ose afër 0.2 për qind e Prodhimit Kombëtar.
Taksat mbi pronën mblidhen dhe administrohen nga pushteti vendor. Sipas një stduimit të kryer pak kohë më parë nga disa ekspertë të qeverisjes lokale, rezultoi se të ardhurat që mbledhin aktualisht bashkitë dhe komunat nga taksimi i pasurisë financojnë vetëm 25 për qind të investimeve vendore.
Top Channel