Mbrëmjen e së enjtes, një prej luftëtarëve më të paepur për të drejta të barabarta mes njerëzve, Nobeli i Paqes i vitit 1993, presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare.
E ndërsa bota i jep lamtumirën e saj këtij njeriu që shkruajti historinë, pak e dinë se gjatë jetës së tij të gjatë dhe të mundimshme, Mandela fitoi gjashtë emra, të cilët janë:
Rolihlahla
Kur lindi në vitin 1918, Mandelës iu vendos emri Rolihlahla nga babai i tij, i quajtur Nkosi Mphakanyiswa Gadla Henry. Në gjuhën vendase, Rolihlahla ka dy kuptime. Përdoret për të përshkruar një fëmijë ngatërrestar dhe në një kuptim më letrar do të thotë “të kapësh një degë peme”.
Nelson
Emri Nelson për herë të parë u shoqërua me Mandelën në shkollën fillore. Ishte mësuesja e tij ajo që i vendosi këtë emër në ditën e parë të fillores, në fshatin Qunu. Ndërsa mbetet e paqartë përse pikërisht Nelson, në ato vite ishte e zakonshme që fëmijëve t’u vendoseshin emra anglezë, pasi emrat vendas ishin shumë të vështirë për t’u shqiptuar nga kolonizatorët britanikë.
Madiba
Në Afrikën e Jugut, Mandelës i referohen më shumë me emrin Madiba, emri i klanit fisnor nga ku ish-presidenti kishte prejardhjen. Referimi me Madiba është një shenjë e shprehjes së një respekti dhe adhurimi të thellë për Mandelën.
Tata
I vlerësuar si themeluesi i demokracisë në Afrikën e Jugut, Mandela njihet gjithashtu me emrin “Tata”, që në gjuhën vendase të rajonit nga ku Mandela kishte prejardhjen do të thotë “baba”.
Khulu
Në gjuhën vendase të rajonit ku Mandela u lind, “khulu” është shkurtimi i fjalës “ubawomkhulu”, që do të thotë gjysh. Kjo fjalë nënkupton gjithashtu “i madh” ose “largpamës”.
Dalibhunga
Në moshën 16-vjeçare, siç e do tradita vendase, Mandelës iu organizua një ceremoni që feston “shndërrimin në burrë”. Bazuar në këtë traditë vendase, Mandelës iu caktua një emër i ri, Dalibhunga, që përkthyer fjalë për fjalë do të thotë “themelues i këshillit” ose “themelues i dialogut”. Një emër i tillë, besohet se iu vendos Mandelës për të treguar aftësitë e tij të spiktatura intelektuale që në atë moshë të hershme.
Top Channel