Gjykata e Lartë e Rumanisë dënoi ish-kryeministrin Adrian Nastase me katër vjet burg për marrje ryshfetesh.

Ai u dënua edhe me 3 vjet për shantazh, të cilat do t’i kryejë në të njëjtën kohë. Adrian Nastase i mbijetoi një tentative vetëvrasjeje në vitin 2012, pasi u dënua me dy vjet burg.

Sipas gjykatës, dy zyrtarë rumunë kishin ndihmuar Nastasen të përfitonte materiale ndërtimi kineze për pronat private, gjatë viteve 2001-2004, në vlerën e 630 mijë eurove, nga sipërmarrësja Irina Jianu.

Në këmbim të kësaj, ai e caktoi atë në postin e Inspektoriatit Shtetëror të Ndërtimit. Jianu ndodhet aktualisht në burg, fajtore për një çështje tjetër korrupsioni, ku përfshihet edhe Nastase.

Ish-kryeministri rumun doli nga burgu 10 muaj më parë, pasi vuajti dy të tretat e dënimit të mëparshëm, prej 2 vjetësh burgim, i akuzuar për korrupsion. Nastase u shpall fajtor edhe se kishte shantazhuar ish-konsullin rumun në Shangai, Joan Paun.

Nastase ka rrëzuar çdo akuzë kundër tij, duke thënë se janë të motivuara politikisht. Rumania u bë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2007 dhe është nën monitorimin e veçantë të Brukselit, i shqetësuar për nivelin e lartë të korrupsionit në këtë vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA