
Binzesi i kërkon Qeverisë që të heqë dorë nga projekti i taksës
progresive dhe përshkallëzimi i Tatimit mbi Fitimin. Kryetari i Dhomës
së Tregtisë, Nikolin Jaka tha se këto masa do të kishin pasoja negative
ne ekonomi.
“I bie që do kalojmë një treg informal lidhur me punësimin, pasi kemi të bëjmë me një taksë progresive, e cila rëndon pagat e larta. Lidhur me tatimin e korporatave është goxha atraktive kur ke një reformë apo një paketë fiskale me tarifa të thjeshtuara, me tarifa fikse në shifra të ulëta. Nëse do e komplikojmë këtë lloj pakete fiskale dhe këtë lloj reforme lidhur me legjislacionin fiskal, parashikimet janë që investimet e huaja do të jenë të tkurrura dhe nuk do të jenë të pranishme në Shqipëri”, tha Jaka.
Zyrtarisht konsultimet e Qeverisë me biznesin pritet të nisin në datën 10 kur do të mblidhet Këshilli Ekonomik Kombëtar, por zoti Jaka listoi paraprakisht një sërë kërkesash që Dhoma e Tregtisë ka për paketën e re fiskale.
“Marrja e masave për shlyerjen e borxhit ndaj biznesit, duke e parashikuar atë edhe në futjen e buxhetit për vitit 2014, nëse nuk shihet mundësi tjetër. Kërkojmë diferencim të TVSH-së, që është jo më e lartë se 10 për qind për produkte bujqësore blektorale vendase, si dhe shërbime turistike; heqjen e TVSH-së për të gjithë pajisjet dhe makineritë që i nënshtrohet skemës së rimbursimit të TVSH-së dhe që i shërbejnë aktivitetit dhe sipërmarrjes së private; heqja e TVSH-së për transportin publik qytetas dhe ndërqytetas”, tha Jaka.
Qeveria ka shpallur paraprakisht se nga një janari do të rikthejë taksimin progresiv të të ardhurave, ndërkohë që për herë të parë edhe Tatimi mbi Fitimin e Biznesit do të jetë i diferencuar në varësi të xhiros, por edhe aktivitetit ekonomik.
Top Channel