Shqipëria nuk është vetëm Vlora

05/12/2013 00:00

Zamira Cavo – Vlora, kryeqyteti i parë i Shqipërisë moderne, meriton pa
dyshim vëmendjen e çdo qeverie. Ndaj jam shumë krenare që qeveria e
z.Rama i ka kushtuar një vëmendje kaq serioze këtij qyteti, me shpresën
se modeli “Vlorë” do të duhet të jetë modeli “Shqipëri”.

Por Shqipëria nuk është vetëm Vlora. Aktualisht, vendi ka me mijëra probleme, saqë ngjan me një shtyllë ku janë ndërlidhur mijëra fije të paligjshme e të ligjshme, që çdo ditë vjedhin e shpërdorojnë energjinë e këtij vendi. Në një situatë të tillë, gjithkush do të stepej e do t’i duhej ta mendonte disa herë atë që do të bënte. Por ajo që nuk pret është koha. Sa më shumë kalojnë ditët, aq më tepër rëndohet situata e natyrisht aq më të vështira zgjidhjet. Me këtë kam parasysh dy faktorët kyçë:
 
Gjendja ekonomike e shoqërisë

Kjo gjendje ekonomike duket e vështirë, aq sa nuk të lejon të bësh dallime shtresore. Shtresa e mesme e shoqërisë sonë duket sikur është përhumbur dhe kjo e bën edhe më të thellë dallimin mes pakicës së kamur dhe masës së varfër të shoqërisë. Është i njohur roli bazë i kësaj shtrese në ndërtimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të një vendi. Prognozat nuk duken të mira. Madje dhe vetë qeveria e ka paralajmëruar këtë me disa deklarime të anëtarëve të kabinetit “Rama”. Nëse i mbahemi logjikës, mbetet detyrë emergjente zgjidhja e disa problemeve prioritare që të zbusë në masën më të mirë, efektin e krizës në familjet shqiptare. Ndaj vendosen disa prioritete, të cilat kanë një ndikim me shtrirje të gjerë horizontale, por dhe me efekt të ndjeshëm vertikal. Çdo shqiptar, do të ndihej krenar për projektin “Lungo mare”. Dhe është një krenari e ligjshme, por çdo shqiptar do ndihej keq kur shikon se gjenden para për të dëmshpërblyer disa shpronësime dhe nuk ka para për t’u dhënë një pagë shtesë pensionistëve, personave me aftësi të kufizuara. Nuk ka fonde për jetimet mbi 18 vjeç, që nuk kanë ku të fusin kokën, nuk ka ilaçe për fëmijët e të sëmurët në spitale, nuk ka… etj. etj.. Po ndalem me kaq, sepse nëse do t’i rendisja të gjitha shtresat në nevojë nuk do të mjaftonin disa buxhete. Mjafton të dëgjoni një mëngjes emisionin e Bashkim Hoxhës, për të kuptuar se sa probleme jetike kanë njerëzit e sa shumë besim kanë se do të zgjidhen. Por besimi matet me kohë.

Gjendja reale e funksionimit të shtetit

Nëse institucionet shtetërore “paralizohen” qoftë edhe në një kohë të shkurtër, efektet janë të jashtëzakonshme dhe kërkojnë kohë për t’u riparuar. Fatkeqësisht, institucionet tona janë ngërthyer në një gjendje “statike”, e cila buron nga pasiguria e atyre që janë në punë dhe nga pamundësia e atyre që kanë ardhur në krye të tyre, për të vepruar. Është një kontradiktë, e cila po zgjati dhe ca kohë do të jetë dëmshume. Më shumë është një gjendje pritjeje, e cila nuk i shkon për shtat energjisë së Kryeministrit apo dhe kabinetit. Pra nuk është se mungon entuziazmi, se mungon përkushtimi, por mungon vendimmarrja e shpejtë dhe mbi të gjitha mungojnë prioritetet. Entuziazmi për të bërë vepra që kanë të bëjnë me pastrimin e territoreve, me kujdesin ndaj tij, janë vepra që meritojnë të përshëndeten me zë të lartë. Por shumica e tyre janë me efekte “estetike” dhe parandaluese dhe jo me efekte ndikuese. Shumë mirë që në shkollat e vendit u hoqën shërbimet tregtare, por arsimi nuk po zgjedh dot, për shkak të procedurës së stërgjatur, drejtorët e Drejtorive Arsimore. Dhe po mbaron viti. Në një kohë kur duhej të ishin shpallur debatet mbi reformat që kërkon arsimi, pasi as alterteksti, as matura nuk kanë më kohë të zgjidhen për shtatorin që vjen.

Ose ministri i Shëndetësisë, shumë mirë që ka pastruar mjediset, por të sëmurët e onkologjisë nuk kanë ilaçe, nuk punojnë aparaturat. Shkurt, asgjë nuk ka ndryshuar! U ndala në këto dy institucione, pasi ndikimi i tyre duhej të ishte i dukshëm, pasi vërtet nuk ka KOHË.

Pa e lënë lexuesin, sidomos atë vlonjat, të thotë: Po ç’punë ka Vlora dhe projekti i saj me institucionet e tjera të vendit?! – Më duhet të them se e gjitha ka të bëjë me vëmendjen e kryetarit të qeverisë. Si deputet i këtij qyteti, Rama po tregon se është shkrirë një me ta, e po jep kështu një model krejtësisht të ri të marrëdhënieve deputet-elektorat. Por Rama sa është deputet i Vlorës është dhe Kryeministër i Shqipërisë.

Shqipëria ka dy resurse të fuqishme: Natyrën dhe fuqinë e re punëtore. Nëse presim dhe fokusohemi vetëm në një model, qoftë ky me emrin “Lungo mare”, natyra do vazhdojë të shkatërrohet me ritme të shpejta dhe rinia do vazhdojë të kërkojë jetë më të mirë në vendet e tjera. Cilido që thotë se me prishjen e ndërtimeve pa leje do frenohen fenomeni, ju them: Çdo shembull është mësim, por nëse ka tërheqje, nëse nuk i shkohet deri në fund, nëse prish në Vlorë dhe lejon në Durrës, asnjë shembull nuk ka vlerë!

I them këto shqetësime, pasi unë kam besuar dhe besoj në qeverinë “Rama”. Kam qenë dhe jam e bindur se fjalimet e z.Rama do të studiohen në të ardhmen për brilantizmin e idesë dhe gjetjes politike.  Personalisht jam “fanse” e tyre. Fjalimet e tij ngjajnë me mrekullinë e shkrimeve të Konicës apo Nolit, por asnjëri nga ata nuk tregoi se dinte të bënte politikë. Arsyeja është e thjeshtë: Politika kërkon vendimmarrje në kohën e duhur! Por kërkon dhe prioritete!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA