Në prag të takimit të radhës me homologun serb Ivica Daçiç, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Bashkësia e Komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca të ndonjë entiteti politik apo etnik.

”Ky organizëm, statutin, formën, organizimin dhe funksionimin duhet dhe do ta ketë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e 19 prillit të arritur në Bruksel. Kështu që çdo pretendim tjetër, apo çdo interpretim për një funksionim tjetër do të jetë i papranueshëm dhe i parealizueshëm. Ky është qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe i Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Thaçi.

Sipas tij, kjo bashkësi do të jetë vetëm një mekanizëm konsultativ vullnetar. “Kompetencat e saj nuk do të jenë as më shumë e as më pak sesa kompetencat e asociacionit të komunave tjera në Kosovë. Do të jetë një mekanizëm konsultativ, jo detyrues dhe nuk do të ketë karakterin ekzekutiv apo legjislativ në asnjë rrethanë”, ka theksuar Thaçi.

Duke komentuar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, përfshirë edhe ata në komunat veriore, Thaçi ka thënë se në këtë mënyrë po çrrënjoset ndikimi i Serbisë në Kosovë. Ai është shprehur i gatshëm t’i takojë edhe kryetarët e rinj të komunave me shumicë serbe që të bisedojë me ta për të gjitha problemet ekzistuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA