“E urrej të shkoj në shtrat natën”, familja Osbourne rrëfen dhimbjen pas vdekjes së Ozzy-t Të flasësh për seksin asnjëherë nuk është e lehtë. Aq më tepër kur je prind. Ndoshta, në fëmijërinë e hershme, kur vogëlushët pyesin se nga kemi lindur është më e thjeshtë të gjesh një përgjigje.
Arrin mosha kur shumë gjëra fëmijët i mësojnë vetë. Është pak a shumë koha kur si prind përballesh vazhdimisht me lajmet se tashmë mosha e kryerjes së marrëdhënieve seksuale është ulur deri në 14 vjeç apo se sëmundjet seksualisht të transmetueshme po përhapen me shpejtësi. Zakonisht, atëherë del urgjenca që kjo bisedë të bëhet sa më herët. Ndonjëherë ndodh që vetë fëmijët ta marrin inisativën për ta hapur këtë bisedë.
“Informacionin e parë e kam marrë nga prindërit edhe pse ata viheshin në siklet. Më pas mësova në shkollë dhe hapesha më shumë me ta. Biseda e parë me prindërit ishte çështja e lindjes së fëmijëve. Më thanë që babi puth mamin në faqe e bëheshin fëmijët, por normal që nuk e besova”, thotë një nxënës i 9-vjeçares.
Ata që ndjehen në siklet me familjarët, gjejnë një tjetër “shok” të gatshëm për t’u ofruar njohuritë për të cilët ata kanë kuriozitet: “Për këtë temë marr informacionin nga interneti sepse me prindërit ndihem shumë në siklet.”
Pjesa tjetër kombinon njohuritë e internetit me ato të shoqërisë: “I trajtoj këto tema me shoqërinë, por kuptohet që trajtohen në mënyrë banale.”
Nga ana tjetër, mes adoleshentësh ekziston edhe presioni se po nuk pate një lidhje nuk je modern.
Ndoshta të flasësh me fëmijët për seksin nuk është e lehtë, por është shumë më e lehtë se të përballesh me pasojat që mund të sjellë kjo mungesë komunikimi.
Sa përfshihet edukimi seksual në programet shkollore?
A përfshihet sa duhet nëpër programet mësimore trajtimi i temave që kanë të bëjnë me seksualitetin është një çështje e diskutueshme jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Botë.
Lajmi më i fundit vjen nga Shtetet e Bashkuara, ku vendimi i presidentit Obama për përfshirjen e edukatës seksuale si lëndë më vete në kopshte është bërë titulli kryesor në media.
Ndërkohë, në programet e kopshteve tona janë të përfshira tema që shpjegojnë familjen apo si është ndërtuar trupi. Alketa Brraka, mësuese në kopshtin 42, tregon se ato përpiqen t’u shpjegojnë vogëlushëve njohuri në përputhje me moshën si për shembull nga kanë lindur apo pse janë vajza apo djem: “Fëmijët janë shumë kuriozë dhe na befasojnë me pyetjet që bëjnë, por ne jemi shumë të kujdesshëm në përgjigjet që japim, pa kaluar në detaje.”
Ndërkohë, mësueset e ciklit të fillores tregojnë se në kurrikulën e tyre mësimore nuk ka të përfshirë tema të tilla.
Lindita Zeneli, mësuese e biologjisë në shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” thotë se këto njohuri fillojnë të merren nga biologjia e klasës së 7 dhe të 8 dhe se ngjallin shumë interes tek nxënësit: “Mundohemi që nxënësit të flasin lirshëm dhe të bëjnë pyetjet që kanë.”
Ndryshe nga ç’mund të mendohet, në shkollë të mesme njohuri të tilla kufizohen në disa orë mësimi me biseda të lira me psikologen apo mjeken e shkollës. Lindita Bega, mësuese e biologjisë në shkollën “Ismail Qemali” tregon se kurrikula nuk ofron njohuri në këtë drejtim.
Sipas Begës, në këtë moshë është akoma më shumë e nevojshme që të rikujtohen njohuri që kanë të bëjnë me riprodhimin dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme: “Kjo moshë është periudha kur mësojnë me më shumë përgjegjësi dhe interes. Duhet të futen orë të tilla.”
Madje, me zhvillimin e teknologjisë dhe mundësisë për të marrë në mënyrë të pakontrolluar informacione në internet, shihet e nevojshme që këto tema të zhvillohen edhe më herët.
Tema që trajtojnë edukatën seksuale u futën për herë të parë në programet mësimore shqiptare në fillim të viteve ’90 duke thyer tabu në këtë drejtim edhe pse shpeshherë kapitujt kaloheshin pa u trajtuar nga mësuesit.
Top Channel