Qeveria, 24.6 mld lekë borxh

04/12/2013 00:00

Ministri i Financave Shkëlqim Cani bëri publike shifrën e borxhit që
Qeveria ka ndaj biznesit për kontratat publike, të verifikuar nga
kompania ‘Deloitte’.

“I gjithë ky proces solli atë që ‘Deloitte’ identifikoi shifrën e 24.6 miliardë lekë që buxheti i shtetit i detyrohet biznesit. Kjo shifër ka në pjesën e vet sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por pjesën dërrmuese e ka pjesa e infrastrukturës që zë afërsisht 65 për qind të kësaj shume. Pastaj vijnë me radhë edhe shëndetësia edhe arsimi etj”, tha Cani.
 
Shlyerja do të bëhet përmes një kredie të butë që Qeveria do marrë nga donatorët. Ministri i Financave tha se shpreson që i gjithë procesi deri në shlyerjen e borxhit të mbyllet sa më shpejt.

“Ministri i Financave ka patur dhe e ka ende dëshirën që të shlyhen të gjithë njëherësh. Kuptohet që kjo nuk është në dorën e ministrit të Financave, pasi siç e kam thënë këto nuk do të shlyhen nga paratë e buxhetit, por do të shlyhen me një hua të marrë dhe ne jemi në fazën e negocimeve dhe natyrisht synimi ynë që ta marrim shumën njëherësh dhe ta shlyejmë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Cani.

Shifra prej 24.6 miliardë lekësh përfshin vetëm vetëm detyrimet e papaguara për kontratat publike dhe lë jashtë TVSH-në e parimbursuar apo detyrime të tjera të shtetit ndaj sipërmarrjes. Ministri i Financave tha se edhe ky borxh do të auditohet dhe për këtë Qeveria do të hapë vitin tjetër një tender për të përzgjedhur kompaninë që do e kryejë këtë proces.

Top Channel