
Njëri prej udhëheqësve të grupit militant libanez Hezbollah është vrarë në rrethinat e Bejrutit në Liban.
Televizioni Al-Manar, i njohur për lidhjet e forta me grupin Hezbollah njoftoi se Hassan Lakkis u ekzekutua pranë banesës së tij në Hadath, 7 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit të Libanit.
Pak dihet për Lakkis, por korespondenti i BBC në Bejrut thotë se emri i tij lakohej si ndër personat më të afërt me Hassan Nasrullah, kreu i grupit të armatosur. Raportimet thonë se Lakkis është qëlluar në hyrje të banesës së tij rreth mesnatës. Hezbollah fajësoi Izraelin për sulmin, ndërkohë që Tel Avivi nuk e ka komentuar ende vrasjen.
Lajmi për vrasjen e tij mbërrin një ditë pas deklaratës së kreut të këtij grupi, Hassan Nasrallah që akuzoi Arabinë Saudite se qëndronte pas sulmit me bomba pranë ambasadës iraniane në Bejrut muajin e kaluar.
Irani është njëri prej mbështetësve të mëdhenj të Hezbollah, luftëtarët e të cilit ndodhen edhe në Siri në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad. Konflikti sirian ka rritur tensionet sektare në rajon, sidomos në Liban dhe Jordani mes shiitëve dhe sunitëve.
Top Channel